Në emisionin Pressing, është duke u shpalosur rezultati i hulumtimit të opinionit publik, që është kryer për T7. Në mesin e gjetjeve të këtij hulumtimi, janë edhe preferencat për partitë politike, sipas gjinisë, moshës dhe statusit të punësimit.
Hulumtimi i UBO Consulting tregon se nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, VV-në do ta preferonin më shumë gratë se burrat, ndërkaq PDK-në dukshëm më shumë burrat se sa gratë.
Sipas rezultateve të dala:
VV do të votohej 41.1% nga burrat dhe 42.7% nga gratë, PDK 23.7% nga burrat dhe 19.3% nga gratë, LDK 18.7% nga burrat dhe 20.2% nga ngratë. Raporti duket paksa më i balancuar te AAK, pasi që për të do të votonin 7.4% nga burrat dhe 7.0% nga gratë.
Hulumtimi ka kategorizuar votuesit edhe sipas moshës.
Po ashtu, votuesit e deklaruar në këtë hulumtim, janë deklaruar edhe sipas statusit të punësimit.
Metodologjia e aplikuar në këtë hulumtim, është bërë me përzgjedhjen e amvisërisë duke shfrytëzuar metodën sistematike të rastësisë, si dhe zhvillimin e anketës me personin i cili e ka ditëlindjen e parë më të afërt i moshës mbi 18 vjet.
Për hulumtimin e kryer, lista votuese e KQZ-së e vitit 2021 ka shërbyer si kornizë për ndërtimin e mostrës, ndërkaq mostra n=1065 e dizajnuar për sigurimin e mostrës përfaqësuese, e shtresuar sipas etniciteteve shqiptar, serb dhe minoritete jo-serbe. Minoritetet e mbi-përfaqësuara në anketim, mostra e peshuar për analizë.
Gjinia e të anketuarve është 50.3% meshkuj dhe 49.7% femra, ndërkaq shtrirja sipas vendbanimeve urban 42.8% dhe 57.2% rural. Margjina e gabimit ±3 pikë të përqindjes në përzgjedhje për interval të konfidencës 95%. Periudha e anketimit është mes 07 dhe 15 marsit 2022.