Është ndare nga jeta nëna e komandantit-dëshmorit të Kombit Skender Gashi, nga Sapniqi i Rahovecit, njerit nga luftetarët e ralle të Zones Operative të Pashtrikut e Dukagjinit, bashkëluftetar i Tonit e Micit e shumë dëshmorëve të tjerë. Familja Gashi është një nga familjet e njohura në rajonin e Anadrinisë për kontributin e dhënë në rrugën e lirisë shkruan Gazeta Papirus.
Ngushllime me rastin e ndarjes nga jeta të Hatixhe Gashi, ka shprehur edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Postimi i tij i plotë :
Nëna e dëshmorit Skënder Gashi, Hatixhja qenka ndarë nga kjo botë. Dhimbje për ne shokët e Skënderit, dhimbje për familjen, miqtë dhe farefisin për humbjen e kësaj nëne bujare. Vdekjet e hershme të të bijve e goditën në shpirt këtë nënë tipike shqiptare, por ajo gjente forcë për të përballuar me maturi humbjet e saj.
Sa herë që shkonim për vizita dhe në përvjetorët e Skënderit e shihnim një grua të fortë me kokën lart dhe me shikimin e thellë e dashamirës. Mbase, para syve i dilte Skënderi i saj i hijshëm e madhështor, me qëndrimin prej ushtaraku të vërtetë dhe me besimin në fitoret e kombit shqiptar. Na jepte edhe neve kurajë e mbështetje, duke e marrë krejt dhimbjen për të birin në shpirt. Ndiheshim krenar që ishim shokët e Skënderit të saj të dashur.
Kujtimi për këtë nënë martire do të jetojë gjatë, aq sa do të jetojë kujtimi për luftëtarët dhe dëshmorët e kombit. Kjo për faktin, se familja e Gani Gashit nga Sapniqi u bë pjesë e historisë dhe historia nuk harron asgjë.
Ngushëllimet më të ngrohta për djemtë, vajzat, nipat, mbesat, farefisin dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhembje për vdekjen e kësaj nëne bujare! Nderim për nënën stoike të dëshmorit të kombit Skënder Gashi, për të dashurën nënën Hatixhe!
/Gazeta Papirus/