Po vazhdon në Hagë, dhënia e fjalëve përfundimtare në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.
Pas një kohe të gjatë në seancë është shfaqur edhe prokurori i specializuar, Jack Smith. Ky i fundit, ka kërkuar dënimin e udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, pasi sipas Smithit, ata kanë tentuar ta shfuqizojnë Specialen.
“Është shumë e rrallë të keni përpara dy persona që janë fanatik për të shkuarën e tyre penale, dhe kanë thënë se mund të pranojnë dënim të gjatë me burg vetëm që të shkatërrohet kjo Gjykatë. Të akuzuarit kanë tentuar ta bllokojnë vënien e drejtësisë, kanë tentuar të frikësojnë dëshmitarët. Në Kosovë ka ende një klimë frike, dhe synimi i tyre ka qenë ta shtojnë edhe më shumë një gjë të tillë”, ka thënë Smith në seancë.
Sipas prokurorit të specializuar, vendimi i gjykatës në këtë rast, do të ishte mesazh për të gjithë që duan ta dëmtojnë punën e Speciales.
“Ne kërkojmë që kjo gjykatë të veprojë më mirë, kërkojmë që gjykata të mësojë nga gabimet e tribunaleve të mëparshme, dhe dënimet të përputhen me krimin e kryer. Jo vetëm si dënim, por edhe si mesazh për të gjithë të tjerët që mendojnë njëjtë si këta dy të akuzuar”, u shpreh Jack Smith.
Prokuroria ka kërkuar 12 vjet burgim për Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj, satëksisht nga 6 për secilin. Dy krerët e OVL-UÇK-së, pritet të japin fjalën e tyre përfundimtare nesër në seancë.