Përpos zyrtarëve policorë të cilët në shumë raste suspendohen në kuadër të Inspektoratit Policor dhe hetimeve të cilat kryhen nga ky inspektorat, ka raste kur ndaj zyrtarëve policorë merren masa pikërisht nga vetë institucioni i Policisë së Kosovës.
Një rast i tillë ndodhi një muaj më parë, kur Policia e Kosovës mori vendim për suspendimin e Amir Hoxhës, zyrtar policor i Kosovës.
Hoxha u suspendua pasi i njëjti kritikoi në mënyrë publike shpenzimet e deputetëve derisa i njëjti shprehi pakënaqësitë e tij për mospagesën e shujtave për policët.
Njoftimin për suspendim e kishte bërë vetë Amir Hoxha. Edhe pse i njëjti në fillim deklaroi se suspendimi ishte për tri ditë, situata në këtë rast mori krejtësisht kahje tjetër.
Amir Hoxha pati thënë se suspendimi erdhi me pretekstin se ai kishte kryer veprën penale apo shkelje të rëndë disiplinore.
Hoxha nuk e la me kaq këtë çështje, i njëjti dorëzoi ankesë përmes avokatit të tij mbrojtës.
Amir Hoxha, zyrtari policor i cili në fillim u shpall “hero” nga publiku për mbrojtjen e të drejtave të policëve të Kosovës, tashmë është larguar nga Kosova.
Lajmi.net ka mësuar se Amir Hoxha ishte kërcënuar pas publikimit që kishte bërë lidhur me ankesat për padrejtësitë që ai tha se iu bënë në punën të cilën bëjnë zyrtarët policorë.
Hoxha lidhur me këto kërcënime ishte drejtuar edhe në Policinë e Kosovës, por që nuk kishte patur ndonjë reagim. Duke mos e lënë me kaq, Hoxha më pas ishte drejtuar në instanca shumë më të larta, në ato që lidhin Kosovën me shtetet e huaja.
Kësisoj Amir Hoxhës më pas iu mundësua largimi nga Kosova, drejt Amerikës.
E për largimin e Hoxhës, lajmi.net ka kontaktuar edhe avokatin e tij mbrojtës. Avokati i tij, Gent Gjini ka konfirmuar informacionin se Amir Hoxha është larguar nga vendi.
Ai tha se lidhur me çështjen e tij kanë vazhduar edhe deri tek Avokati i Popullit dhe se lënda është në procedurë e sipër.
“Kemi vazhdu edhe deri tek Avokati i Popullit. Kemi informacione që ai s’është më në Kosovë. Nuk e dimë nëse ka kërkuar ndihmë tek instancat e tjera, por ndoshta Amiri e di vetëm këtë pasi që vetë ka vendosur të dalë”, tha avokati i tij.
E lidhur me këtë, lajmi.net ka tentuar për disa ditë radhazi të marrë edhe një përgjigje nga Policia e Kosovës, por këta të fundit nuk janë përgjigjur derisa nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë të bëjnë me këtë çështje pasi suspendimi i Hoxhës është bërë nga vetë Policia e Kosovës.
Zyrtari policor, Amir Hoxha ishte njëri nga policët e Kosovës që asnjëherë nuk kishte ndaluar të ankohej për kushtet të cilat ata kanë.
Ai shpesh herë nuk hezitoi që të fliste edhe për zhvillimet e tjera në vend, madje edhe ato politike, gjë që në kuadër të institucionit të Policisë së Kosovës nuk është e lejuar.
E çështja e fundit për të cilën është përfolur Amir Hoxha, nuk ishte e vetmja herë kur ai kishte të bënte me sundimin e ligjit, apo respektimin e vendimeve ligjore. Siç është raportuar në mediat e vendit, Hoxha ishte i përfshirë në një rast të ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror në kufirin kroat.
Madje Hoxha ishte suspenduar edhe asokohe nga Policia e Kosovës, saktësisht më 9 nëntor të vitit 2021.
E lidhur me këtë rast Amir Hoxha kishte pranuar se ishte suspenduar, por duke thënë se ishte pa bazë.
“Isha i suspenduar, por pa bazë. Për kundërvajtje në një shtet të huaj ku edhe padrejtësisht më është iniciuar procedurë nga Policia e Kosovës”, pati thënë ai.
E ai këtë e kishte arsyetuar kinse gjatë rrugës kishte marrë një person të panjohur në veturë, por që nuk ishte në dijeni se ai nuk posedon dokumentacionin e nevojshëm për kalim të kufirit.
Lidhur me këtë Policia e Kosovës nuk ishte informuar fillimisht nga vetë ai, por nga autoritetet kroate.
Në momentin kur mediat veçse kishin filluar të vinin në pah çështjen me të cilën ishte ngarkuar më parë Amir Hoxha, ai pati pranuar se ka kontaktuar edhe me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
E kjo nuk ishte hera e vetme kur ai iu drejtua kësaj ambasade.
“I kam shkruar edhe Ambasadës amerikane për këtë rast, sepse dikush po tenton mem denigru me gjëra që s’kam bërë kurrë, ju mund të vazhdoni me tuajën, unë do të vazhdoj me anën ligjore, ato informata janë konfidenciale nuk guxojnë zyrtarët e shtetit me i dhanë”, kishte deklaruar në fillim Hoxha.
Kësisoj, Amir Hoxha pas statuseve të shumta të cilët kishte në profilin e tij në Facebook, shumë prej tyre të fshira më pas, zgjodhi mënyrën më të lehtë për të qetësuar situatën, atë të largimit nga Kosova për një prej vendeve më të largëta, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Lajmi.net/