Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka treguar se kur do të ketë ulje të çmimit të derivateve në vend.
Berjani i ftuar në InDoks të Gazetës Insajderi ka thënë se ulje të çmimit të derivateve do të ketë kur ndalet lufta mes Ukrainës e Rusisë.
“Atë moment kur ndalet lufta Ukrainë-Rusi, do të ketë zbritje të çmimit derisa të jetë kjo situatë e tensionuar, luftë, nuk do të ketë ulje çmimi”, ka thënë ai për InDoks.
Berjani i cili pos që drejton shoqatën e naftëtarëve të Kosovës është po ashtu pronar i një kompanie që shet derivate të naftës.
Intervista të është realizuar derisa ai po komunikonte në ndërkohë me furnizues të këtyre produkteve me e që po e njoftonin që çmimi po ndryshonte nganjëherë edhe brenda orëve të një dite të vetme. I pyetur se kur do të stabilizohen, ose ulen çmimet ai ka një përgjigje të shkurtër.
“Sa i përket rritjes së naftës kjo nuk varet nga ne, varet nga organizata prodhuese OPEC dhe Berza. Organizata OPEC ka reduktu prodhimin shkaku i trazirave, luftës Ukrainë-Rusi edhe kjo ka ndiku që çmimet të rritën në mënyrë ekstreme”, u shpreh Berjani.
Ndërkohë, partitë opozitare fillimisht LDK e pastaj PDK kanë kërkuar nga qeveria që të largojë akcizën për produktet e naftës. InDoks, ka pyetur Berjanin si e sheh këtë kërkesë.
“Besoj që naftarët nuk e kishin refuzu këtë ide po ma merr mendja se kjo ide nuk mund të zbatohet sepse buxheti i Kosovës është parashiku dhe kjo nuk mund të ndodh në Kosovë, nuk mund të krahasohemi me Kroacinë sepse ka buxhet dhe gjendje ekonomike ma të fortë. BE i ndihmon kjo krahasim Kosova me Kroacinë nuk mund të bëhet. Buxheti i Republikës së Kosovës nuk duhet të ngucet”, ka deklaruar ai.
“Ne e kishim mirëprit si Shoqatë e Naftarëve, krejt naftarët e kishim mirëprit mirëpo kjo sa është reale dhe a duhet të bëhet, a duhet ta kërkojmë këtë kjo është diçka tjetër. Unë mendoj që buxheti i R.Kosovës është parashiku edhe me të hyrat e naftës ku me këtë sektor e mbulojmë 30%”, shton Berjani.
Qeveria e Kosovës më 2 shkurt, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës, ka caktuar marzhën tregtare.
Ky vendim përcakton që te shitësit me shumicë, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.
Kundër këtij vendimi është deklaruar vet kreu i Shoqatës së Naftarëve, i cili deklaroi se tanimë kërkesa e tyre për ndryshimin e këtij vendimi është në rishikim.
“Qeveria e ka bë një vendim i cili ka qenë jo i drejt në fillim ku me kërkesën tonë është rishiku nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka qenë marzha e fitimit për import p.sh 4 cent 4 për qind ndërsa për pika karburanti ka qenë 6%, me kërkesën tonë dhe gjithë naftarëve u pajtuam kërkesa jonë ishte që importi të ketë marzh fitimi vetëm 2 % ndërsa pikat e karburantit të jetë me 8% kjo është në rishikim dhe procedurë dhe vendimi i qeverisë duhet të respektohet”, tha ai për InDoks.