13 marsi shënon Ditën e Veres, një festë pagane e cila festohet ende në Zhur, Vërmicë, Shkozë, Dobrusht dhe në fshatrtat e Vrrinit.
Por ç’është Dita e Verës?
Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër. Kur shkrin bora, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falën perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës. Në pakë ditë, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.
Përshkrimin e dytë, i cili flet për kremtimin e “Ditës së Verës” nga malësorët katolikë të veriut, e kemi nga At Berdardin Palaj. Ai shkruante dy dekada pas Faik Konicës :
“Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të Marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë”.
Festimet e kësaj ditë më parë kanë filluar dy javë përpara, ku djemtë e rinj gjatë ditës shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar një ose më shumë mullarë. Këta mullarë me dëllinja vendosen kryesisht në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë duke u bërë konkurrencë të dukshme fshatrave të tjerë për rreth.
Kur, Dielli ulet dal nga dal nga horizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe (është mjet i trashëguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë përmasa mesatare) për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë që pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë “bereqet”, nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar periudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trashëguara dhe të transmetuara brez pas brezi që i kushtohen “Ditës së Verës”. Ky ritual vazhdon deri me datë “14 Mars”.
Me “14 Mars” në mëngjes vendoset një garë e pashpallur kush zgjohet më shpejt në mëngjes (sipas traditës ai që zgjohet më vonë do ti shkoj i gjithë viti në të shumtë në kohës në gjumë), familjet që zgjohen më vonë zakonisht kanë edhe një ndëshkim simbolik, ju mbyllet nga jashtë dera e shtëpisë.
Pasi zgjohen, të rinjtë dalin për te mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnë vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Vezët rroken mes të rinjve me fitimas (që do të thotë se ai që ka vezën me të fortë ja fiton dhe ja merr ati që i thyhet).
Kështu mbyllet festimi i Ditës Verës, si një festë që sjell vetëm gëzim, harmoni dhe lumturi në familjet tona.
Vitet e fundit “Dita e Verës” është bërë me të vërtet një festë mbarëkombëtare, ku festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor. Kjo tregon se shqiptarët edhe në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë “Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra. Është festë pagane që rrjedh nga lashtësia dhe që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona.
Natyrisht që nga fillimet e kremtimit të saj deri sot, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë është po e njëjta, ka qenë dhe mbetet një festë pagane, me origjinë dhe traditë shqiptare dhe që i dedikohet stinës së pranverës, me të cilën rigjallërohet gjithçka pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror.
Dita e Verës njihet si festa e gjithë shqiptareve, por Elbasani dhe ballokumja është zemra e saj. Një feste pagane, qe e ka origjinën ne kohen kur njerëzit i faleshin perëndive. Tempulli ka qene ne zonën e Çermenikas, ne afërsi te Librazhdit te sotëm. Ne kalendarin e vjetër, njerëzia orientohej ne diellin, hënën dhe gjelbërimin. Ndërsa sot është fiksuar 14 marsi, dite e festes se lashte, qe shënon ndryshe fundin e dimrit te acarte dhe hyrjen e pranverës se çeljes se luleve. Ne kohen antike, te paret tanë, Iliret, udhëtonin nga te kater anët për t’ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis. Dita e Verës është feste e te gjithëve, e te pasurve dhe te varfërve, është feste mbarëpopullore ku te gjithë gëzojnë. As feja, as ideologjia dhe së fundi as politika, nuk mundën ta kenë të tyre.
Foto: Vllaznim Fanaj