Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pranuar gabimin drejt detajeve të dhëna nga takimi që pati me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Bislimi, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, i ka replikuar Berge-it, duke e relativizuar gabimin dhe duke shtuar se në vend të fjalës “mirëpriti” duhej “u informua”, shkruan lajmi.net.
“Me të vërtetë jam falënderues ndaj Bjorn Berge për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve me të. Më vjen keq për zgjedhjen e termit jo-adekuat në cicërimën time të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhej të ishte “ne informuam””, ka shkruar Bislimi.
Kundërpërgjigja e tij vjen pasi diplomati evropian përgënjeshtroi detajet e dhëna nga Bislimi për takimin mes tyre.
Berge, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, ka thënë se “mjerisht, nuk është përshkrim i saktë i asaj që deklarova’, duke shkruar mbi cicërimën e Bislimit, shkruan lajmi.net.
“Ky, mjerisht, nuk është përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm [të Kosovës] në KE [Komisionin Evropian]”, thuhet në një reagim të tijin në ‘Twitter’.
Në anën tjetër, numri dy i ekzekutivit të Qeverisë, thoshte se Berge ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për anëtarësim në KE.
“Kënaqësi që takova Bjorn Bergen gjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës që të aplikojë për anëtarësim në Këshillin Evropian. Diskutimi ynë u përqendrua edhe në theksimin e progresit të Kosovës, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka shkruar Bislimi. /Lajmi.net/