“IPK gjatë vitit 2021 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2013 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar ka një ngritje të numrit të ankuesve (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1658 ankesa). Prej tyre 1331 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës. Nga 163 raste me elemente të veprës penale, 106 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 54 raste”.
“Gjithsej gjatë vitit 2021 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 213 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.3% e punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale. Gjatë vitit 2021, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime 38 arrestime; 85 suspendime dhe 10 transfere. Këtë vit IPK-ja ka hetuar 33 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Sipas komunikatës, Divizioni i Inspektimit dhe Raportimit në kuadër të Departamentit të Inspektimit në drejtim të vlerësimit të kryerjes së detyrave policore në raport me legjislacionin dhe standardet e kërkuara, gjatë vitit 2021 ka realizuar nëntë inspektime, nga të cilat, katër të rregullta bazuar në planin vjetor të inspektimit dhe pesë të jashtëzakonshme.
“Gjatë vitit 2021 janë realizuar këto inspektime: Menaxhimi i patrullimeve dhe sigurisë në rrugë (inspektim i rregullt); Monitorimi i besueshmërisë dhe kënaqshmërisë së publikut me Policinë e Kosovës (inspektim i rregullt);Menaxhimi i hetimit dhe zbulimit të krimit (inspektim i rregullt); Trajtimi i personave të ndaluar përkohësisht në Stacionin Policor të Ferizajt (inspektim i jashtëzakonshëm); Vlerësimi i performancës së stacioneve policore në Obiliq, Podujevë dhe Skenderaj (inspektim i jashtëzakonshëm); Menaxhimi, funksionimi dhe aktivitetet hetimore të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (inspektim i jashtëzakonshëm); Kryerja e detyrave gjatë trajtimit policor të rasteve të dhunës në familje (inspektim i jashtëzakonshëm); Vlerësimi i performancës policore në realizimin e urdhëresave të gjykatave (inspektim i jashtëzakonshëm)”.
“Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur një mori aktivitetesh nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media. IPK ka realizuar edhe disa takime me qytetarë që kishin për synim diskutimet e hapura me qytetarët për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj dhe rëndësinë e integritetit policor”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/