Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, ”për përpjekje për të kryer gjenocid në Ukrainë”, duke e quajtur madje edhe ”Kasap të demokracisë”.
Në një intervistë të dhënë për Huffington Post britanik, Vjosa Osmani, ka thënë se deklaratat e Vladimir Putinit për ‘denazifikimin’ e fqinjit të tij tregonin një synim”për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht popullin e Ukrainës”, përcjell Klankosova.tv.
Tutje ajo ka rrëfyer se si ky konflikt i ka sjellë asaj ”kujtime personale” të luftës në Kosovë në vitet 1990.
“Është absolutisht shkatërruese për të gjithë njerëzit e Kosovës të shohin këto imazhe, të cilat për ne sjellin shumë kujtime personale”, tha ajo.
“Ajo që ne shohim në Ukrainë është shumë e ngjashme – gra që përdhunohen, civilë po vriten, fëmijë të vegjël po ashtu vriten, njerëz të detyruar të lënë shtëpitë e tyre – është absolutisht e dhimbshme’’.
“Kanë kaluar 20 vite, kështu që kujtimet për ne janë shumë, shumë të freskëta”.
Presidentja tha se ajo besonte se Ukraina tani ishte gjithashtu viktimë e një “regjimi gjenocidal brutal” të ngjashëm me atë që kishte në shënjestër Kosovën në fund të viteve 1990 dhe që e detyroi NATO-n të niste një fushatë bombardimesh pasi përpjekjet diplomatike për të rivendosur paqen dështuan.
“Si ish-profesor i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne i njohim krimet e luftës kur i shohim”, tha Osmani.
“Qëllimi këtu është i qartë dhe qëllimi është elementi kryesor i gjenocidit’’.
“Unë besoj se tashmë ka shumë prova që gjykatat ndërkombëtare do të përdornin kundër Putinit dhe kundër qeverisë ruse për krimet që po kryejnë kundër Ukrainës’’.
“Kam besim se këto krime nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Fatkeqësisht, në rastin e ish-Jugosllavisë, ato kanë mbetur pa u ndëshkuar’’.
“Plagët janë ende absolutisht të hapura”, thotë ajo.
Osmani tha se ishte “inkurajuese për të parë” përgjigjen e unifikuar të Perëndimit në dënimin e pushtimit të Putinit në Ukrainë, por tha se kishte “më shumë për të bërë, si në aspektin e sanksioneve ekonomike dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për të pasur një politikë të dyerve të hapura për Refugjatët ukrainas”.
Ajo tha se pavarësisht kapaciteteve të kufizuara, Kosova mban “dyert dhe zemrat tona të hapura”, për refugjatët nga Ukraina.
“Ne e kemi kaluar këtë, ne vetë kemi qenë refugjatë dhe e kuptojmë se sa e rëndësishme ishte të shpëtonim jetën tonë që vendet në mbarë botën i mbajtën dyert e tyre të hapura për ne’’.
“Kemi kaluar nëpër ferr”, është shprehur Osmani, përcjell Klankosova.tv.
Po ashtu Vjosa Osmani ka thënë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është një “shembull për të gjithë në mbarë botën”.
”Populli i Kosovës rroku armët për të mbrojtur veten, për të mbrojtur lirinë tonë dhe për të arritur përfundimisht pavarësinë dhe lirinë që gëzojmë sot”, tha ajo.
”Pra, ne e kuptojmë shumë popullin e Ukrainës dhe faktin se ata nuk do të dorëzoheshin kurrë në asnjë rrethanë”.
”E gjithë simpatia dhe mbështetja jonë shkon për ta”.
Pushtimi rus i Ukrainës, i cili tashmë është në ditën e tij të 13-të, ka përkeqësuar frikën e Osmanit për veprime agresive kundër Kosovës nga Serbia, e mbështetur nga aleati i saj prej kohësh, Rusia.
Tashmë ka shenja se Rusia po punon për të “destabilizuar” Ballkanin me ndihmën e Serbisë, thotë Osmani, duke përmendur një rritje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe një gatishmëri për të dërguar armatime ruse në kufi në një mosmarrëveshje të fundit mbi targat e makinave.
”I vetmi vend në Evropë ku ka protesta pro Putinit është Serbia”, tha Osmani.
”I vetmi vend në pjesën tonë të botës dhe Evropës, përveç regjimit të Lukashenkos [në Bjellorusi] që nuk ka vendosur për sanksione kundër Rusisë, është Serbia”.
”Fakti që ai [presidenti serb, Aleksandar Vuçiq] nuk ka rënë dakord për të vendosur sanksione kundër Rusisë tregon se ai qëndron qartë me Rusinë për këtë.
”Dhe ndërsa në vitet 1990 Sllobodan Millosheviqi me të vërtetë kreu krime në atë masë sa u quajt me të drejtë kasapi i Ballkanit, ajo që është Putin tani është kasapi i demokracisë”.