Fjalimet i ka jo të rralla dhe duket se për to përkushtohet goxha.
Shpesh, ato i bën të veçanta, si për nga mënyra si i transmeton, ashtu edhe për atë se çfarë zgjedh ta thotë.
Në jo pak raste, diskursi i Albin Kurtit u bë temë diskutimi në vend.
Kështu të veçantë e pati edhe fjalimin e së martës, në një ngjarje kur foli për ditën e gruas.
“Nuk duhet të jetë vetëm edukim moral për barazi gjinore, por duhet të jetë edukim kulturor e estetik për barazi gjinore”, tha Kurti, njofton Klan Kosova.
Përshkrim estetik i dha edhe rëndësisë së mësimdhënësve, një ditë më parë.
“Nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë”, tha ai të hënën, njofton Klan Kosova.
Për 7 Marsin dha deklaratë të fortë edhe në kuvend, duke deklaruar se kombit i duhet një epope e arsimit.
Ky diskurs nuk po i pëlqen opozitarit Ramush Haradinaj që të martën e akuzoi për fjalime letrare e filozofike.
“Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Qeveria po kujton se mund të tallet me qytetarët e vendit, duke i lajthitur me do farë “epopesh të arsimit”. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq pafytyrësi”, shkroi ai në Facebook.