sh-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se sot e kanë nisur procedurën që diskriminimin që po bëhet me mosmiratimin e Ligjit për Paga ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
Në një postim në Facebookun e tij, Haradinaj i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti se qytetarët po përballen me pamundësinë për të siguruar ekzistencën, pasi po vazhdojnë të rriten çmimet e gjithë artikujve të jetesës, rryma, nafta, vaji, sheqeri, buka, ilaçet edhe gjithçka tjetër.
“Ka më shumë se 6 muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim. Përkundrazi ajo e rritë çmimin e energjisë për qytetarët shqiptarë, ndërkaq për serbët në veriun e vendit, vendos me ua pagu rrymën nga buxheti i shtetit”.
POSTIMI I PLOTË I HARADINAJT:
Kryeministër, nuk ushqehet populli me ideologji
Situata në Kosovë është shumë më e komplikuar, nuk është veç punë nafte e punë akcize.
Qytetari i këtij vendi po përballet me pamundësinë me siguru ekzistencën, po rriten çmimet e gjithë artikujve të jetesës, rryma, nafta, vaji, sheqeri, buka, ilaçet edhe gjithçka tjetër.
Kemi qenë të shqetësuar gjatë gjithë këtyre muajve të veprimeve të kësaj qeverie antipopullore. Ka më shumë se 6 muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim. Përkundrazi ajo e rritë çmimin e energjisë për qytetarët shqiptarë, ndërkaq për serbët në veriun e vendit, vendos me ua pagu rrymën nga buxheti i shtetit.
Sot, e kemi nisë procedurën që këtë diskriminim ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.
Përfundimisht, situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë, edhe në aspektin e ekzistencës e edhe të sigurisë. Kryeministri në vend që të veprojë po mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend.
Nuk ushqehet populli as me ideologji e as me ëndrra. Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Qeveria po kujton se mund të tallet me qytetarët e vendit, duke i lajthitur me do farë “epopeshë të arsimit”. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq paftyrësi.
Prandaj, ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi së demaskuari këtë qeveri të dëmshme, pa marrë parasysh fuqinë tonë opozitare në Kuvend, por gjithnjë me shpresë se do të rritet populli opozitar që nuk do të bie pre e mashtrimeve dhe fjalëve të bukura të Kryeministrit, e që herëdokurë do t’ia japë përgjigjen që e meriton.