Më herët ne raportuam se Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron i Francës kishin folur me telefon për gati dy orë.
Ndërkohë më poshtë gjeni detaje të asaj që u tha nga Parisi dhe Moska.
Pallati presidencial francez, Elysée, ka bërë të ditur se Macron i kishte kërkuar Putinit që t’i jepte fund sulmit rus dhe të garantonte sigurinë e vendeve bërthamore të Ukrainës pasi granatimet shkaktuan një zjarr në vendin e uzinës bërthamore të Zaporizhzhia.
Derisa Putini i ka thënë Macronit se Rusia nuk kërkon të sulmojë centralet bërthamore.
Putin i tha gjithashtu Macronit se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj përmes “negocimit ose luftës”, thotë presidenca franceze.
Ndërkohë nga Kremlini thonë se Putin fajësoi ukrainasit për incidentin e centralit bërthamor.
Putin citohet t’i ketë thënë Macronit se kishte qenë një “provokim” i organizuar nga “radikalët ukrainas”. Ndërkohë Ukraina ka fajësuar forcat ruse për bombardimet.
Kremlini shtoi se personeli rus dhe ukrainas po ruanin bashkërisht vendin dhe se nivelet e rrezatimit ishin “normale”.
Putin tha gjithashtu se përpjekjet e së shtunës për të evakuuar civilët nga qytetet jugore të Mariupol dhe Volnovakha kishin dështuar sepse “nacionalistët ukrainas” refuzuan t’i linin njerëzit të largoheshin dhe përdorën armëpushimet e përkohshme vetëm për të përforcuar dhe forcuar veten.
Ukraina tha se bombardimet ruse kishin vazhduar gjatë armëpushimeve të shtunën dhe të dielën.
Më herët gjatë ditës së sotme, Kryqi i Kuq tha se të dy palët nuk kishin arritur të bien dakord për detajet se si do të funksiononin evakuimet.