Më 5, 6 dhe 7 mars 2022 organizohen manifestime shtetërore në Republikën e Kosovës në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të 5, 6 dhe7 marsit të vitit 1998, kur ra në luftë me serbët komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari me anëtarët e familjes. Gjatë tri ditë luftimesh forcat serbe vranë 58 persona, familjarë dhe të afërm të familjes së komandantit legjendar.
Kushdo që mund të lexojë në anglisht i gjen në vegëzat më poshtë në raportimet që ka bërë Qendra për Informim e Kosovës (QIK) në anglisht në tri ditët e rezistencës heroike të familjes Jashari.
Në shqip ka pasur më shumë lajme nga QIK-u, por të cialat nuk janë në dispozicion në internet.
Lajmi i parë, i mëngjesit të 5 marsit të vitit 1998, ditë e enjte, mban titullin “Përqendrim i forcave serbe, drojë për sulm të menjëhershëm në dy fshatra të Skënderajt”. Fjala është për fshatrat Prekaz dhe Llaushë.
Përmenden burime që thonë se forca serbe me autoblinda dhe makina të tjera policore ishin nisur drejt fshatrave në fjalë. Në ora 7:45 QIK-u njoftonte se serbët kishin hapur zjarr me armë të rënda, duke cituar burimet që thoshin se në përballje me këtë fshatrat do të reagonin në vetëmbrojtje kundër këtij sulmi serb.
Shih lajmin e plotë këtu: http://www.hri.org/news/balkans/kosova/1998/98-03-05.ksv.html
Pesë edicione të tjera kishte bërë QIK-u në anglisht atë ditë deri në ora 12:45.
Njoftohet për granatim të Prekazit me topa nga Fabrika e Municionit në Skenderaj. Po ashtu, për prani të shtuar të snajperëve serbë afër zyrës së Presidentit Rugova dhe QIK-ut në Prishtinë; për zhvendosjen e shqiptarëve nga rajonet e sulmuara në Drenicë.
Shih lajmin e plotë këtu: http://www.hri.org/news/balkans/kosova/1998/98-03-05_1.ksv.html
Gjatë ditës së 5 marsit, QIK-u, përveç që përcillte zhvillimet në Drenicë, njoftonte për kërkesat apelet e Rugovës dhe të LDK-së, në biseda e kontakte me botën, për ndërhyrje ndërkombëtare për të ndalur sulmet serbe. Po ashtu, për vendimin e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës për ndërprerje të mësimeve në të gjitha nivelet e arsimit në vend nga 5 marsi deri më 9 mars shkaku i sulmeve serbe kundër shqiptarëve në Drenicë dhe në gjithë Kosovën.
Botohet atë ditë edhe apeli i PEN Qendrës Shqiptare, nënshkruar nga Sabri Hamiti, sekretar i PEN-it, drejtuar shkrimtarëve dhe intelektualëve por edhe opinionit të përgjithshëm për zhvillimet në Kosovë, që kishin marrë përmasa të territorit shtetëror dhe të masakrave serbe.
Këtu vegëza për edicionet 7-9, i fundit i orës 19:30: http://www.hri.org/news/balkans/kosova/1998/98-03-05_2.ksv.html
Në vegëzën më poshtë gjenden lajmet për zhvillimet e fundit të ditës më 5 mars dhe zhvillimet më 6 mars. Nga fundi i ditës më 5 mars, regjimi serb njoftonte se kishte vrarë 20 shqiptarë, terroristë siç i quante, duke përfshirë Adem Jasharin. Njoftonte dhe për dy policë serbë të vrarë dhe disa të plagosur.
Shtëpitë e familjes Jashari po digjeshin në mbrëmjen e 5 marsit, njoftonte Rexhep Gjergji, që bashkë më Basri Musmuratin, të dy anëtarë të kryesisë së LDK-së, kishin mbërritur në afërsi të fshatit.
Më 6 mars, të premten, QIK-u njoftonte për vazhdimin e sulmit serb. QIK-u në ndërkohë njoftonte, duke u bazuar në burimet vendore, se ishin vrarë të paktën 50 shqiptarë. Atë ditë, Presidenti Rugova njoftonte botën në një konferencë për shtyp për përmasat e aksionit policor/ushtarak serb që shkaktoi masakra ndaj shqiptarëve, dy brenda një jave në Drenicë. Kërkoi sërish ndërhyrje ndërkombëtare për mbrojtje të Kosovës.
Vegëza për 16 lajme të QIK-ut në anglisht e gjeni këtu: http://www.hri.org/news/balkans/kosova/1998/98-03-06.ksv.html#02
Lajme të tjera të ditëve 6, 7, 8 mars 1998 e më tutje mund të shfletohen në këtë faqe, klikuar vijimisht next article.