Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së 46-të të Këshillit të Lëvizjes Vetëvendoje, ka thënë para delegatëve se mund të ndjehen krenar për drejtimin që ka marrë Kosova ende pa u bërë një vit nga marrja e pushtetit.
“Mund të ndjehemi krenar me drejtimin që ka marrë shteti ende pa u bërë një vit nga qeverisja”, tha Kurti.
“Për herë të parë zotimet elektorale po kthehen në zotime qeveritare, duke i dhënë peshë dhe përgjegjësi fjalës publike”, tha tutje kryeministri, transmeton Klankosova.tv.
“Puna dhe angazhimi që Lëvizja ka bërë ndër vite ka bërë që sot Kosova të ketë një kabinet qeveritar dhe qeveri që shtyn përpara demokracinë, duke u bërë një shembull për shtetet në rajon, dhe jo vetëm”.
“Menaxhuam pandeminë , janë vaksinuar 2/3 e popullsisë mbi 16 vjeçare, duke bërë që masat të lirohen pothuajse plotësisht. Vitin e kaluar e mbyllëm më rritje 9.9 përqind të bruto-produktit vendor, me ç’rast kemi pasur rritje të eksporteve prej dy të tretave, të të hyrave buxhetore për një të tetën e mbi 50 përqind të rritjeve të investimeve të huaja. jemi ngritur për 17 vende në nivelin e korrupsionit, jemi radhitur të parët në rajon në indeksin e drejtësisë në botë, kemi marrë vendime që rrisin barazitë dhe mundësitë, përmes shtesave për lehonat dhe shtesat për fëmijë, arsimin e lartë e kemi bërë falas në të gjithë sektorin publik, është proceduar ligji për byronë shtetërore, po investojmë më shumë se kurrë në Ushtrinë e Kosovës, kemi ndarë 100 milionë euro për FSK-në dhe për blerje të pajisjeve ushtarake. Kemi themeluar edhe fondin e sigurisë, ku kontributet janë evidente për çdo orë të secilës ditë”, u shpreh Kurti.