Është kërkuar përshpejtimi i procedurave për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari, në Prishtinë.
Këtë e ka bërë të ditur asambleisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri.
Retkoceri ka shkruar në Facebook se, së bashku me Grupin e Asambleistëve të PDK-së, kanë dorëzuar tek kryetari i komunës, Përparim Rama, vendimin e Kuvendit Komunal për ndarjen e parcelës dhe procedurave buxhetale për vendosjen e shtatores.
“Pritjes së madhe po ivjen fudni. Bac, Prishtina të pret” ka shkruar Retkoceri.
Ky është postimi i plotë i tij:
Ka më shumë se dy dekada që në Prishtinë mungon shtatorja e komandatit legjendar, Adem Jashari.
Duke dashur që kësaj pritje t’i japim fund, Grupi i Asambleistëve të PDK-së në koordinim me nënkryetaren Donjeta Sahatçiu ka marrë iniciativë për ta përshpejtuar këtë projekt kombëtar.
Andaj, dje, në vigjilje të “Epopesë së UÇK-së”, në bashkëpunim me shefen e Grupit të Asambleistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, Kryetarit të Komunës, Perparim Rama dhe nënkryetares Donjeta Sahatçiu, ua prezantuam vendimin e Kuvendit Komunal me numer 01-353/01,-0276651/19 të datës 11.11.2019 për ndarjen e parcelës dhe kërkuam që pa vonesë të fillojnë procedurat për ndarjen e buxhetit dhe procedurave të tjera të prokurimit – që projekti i cili e sjellë Heroin kombëtar në qytetin tonë, të realizohet shpejtë, përgjegjshëm dhe profesionalisht.
Pritjes së madhe po i vjen fundi.
Bac, Prishtina të pret!