Rusia ka bllokuar faqet e internetit, brenda territorit të saj, të disa organizatave të huaja mediatike, mes së cilave Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, BBC dhe Deutsche Welle, duke i akuzuar ato për përhapje të informacionit të rremë në lidhje me luftën e saj në Ukrainë.
Agjencia ruse që mbikëqyr mjetet e informimit ‘Roskomnadzor’ tha të premten se arsyeja për kufizimet është se këto organizata mediatike kanë përhapur gënjeshtra sipas saj mbi thelbin e operacionit special ushtarak në Ukrainë, formën e tij, metodat e operacioneve luftarake (sulmet ndaj popullatës, goditjet në infrastrukturën civile), humbjet e forcave të armatosura ruse dhe viktimat civile.
Drejtoresha në detyrë e Zërit të Amerikës, Yolanda Lopez tha se audienca meriton qasje tek lajmet e bazuara në fakte që boton Zëri i Amerikës në këtë kohë kritike, jo vetëm për luftën në Ukrainë por edhe për gjithë zhvillimet e rëndësishme ndërkombëtare që ndikojnë tek jeta e audiencës sonë.
“Zëri i Amerikës do të vazhdojë të përdorë mekanizma dhe burime që do t’i bëjnë të mundur audiencës tonë të shmangë përpjekjet e Rusisë për të bllokuar faqet tona të internetit. Gazetarët tanë do të vazhdojnë raportimin e tyre, një shembull i shtypit të lirë në veprim”.
“Qasja në informacione të sakta dhe të pavarura është një e drejtë themelore e njeriut, e cila nuk duhet t’i mohohet popullit të Rusisë, miliona prej të cilëve mbështeten tek BBC News çdo javë”, tha BBC-ja në një deklaratë.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të siguruar qasje tek BBC News në Rusi dhe në të gjithë botën”, vazhdon deklarata.
Por më pas BBC-ja njoftoi se është duke pezulluar përkohësisht punën e të gjithë gazetarëve të saj në Rusi, në përgjigje të një ligji të ri që kërcënon gazetarët me burg.
Parlamenti rus ka miratuar një ligj që e bën shkelje përhapjen e informacionit “të rremë” për forcat e armatosura.
Kremlini kërkon që konflikti të mos quhet luftë. Ai vetë e quan atë një “operacion special ushtarak”.
“Ky legjislacion duket se kriminalizon procesin e gazetarisë së pavarur. Nuk na lë zgjidhje tjetër veçse të pezullojmë përkohësisht punën e të gjithë gazetarëve të BBC News dhe personelit të tyre mbështetës brenda Federatës Ruse, ndërkohë që vlerësojmë implikimet e plota të këtij zhvillimi të padëshiruar”, tha Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie.
Ndërkohë gazeta ruse Novaya Gazeta, redaktori i së cilës Dmitry Muratov ishte një nga fituesit e Çmimit Nobel për Paqen vitin e kaluar, tha të premten se do të hiqte materialet mbi veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë nga faqja e saj e internetit për shkak të censurës.
Gazeta tha se do të vazhdojë të raportojë mbi pasojat me të cilat po përballet Rusia, përfshirë thellimin e krizës ekonomike dhe persekutimin e disidentëve.
“Censura ushtarake në Rusi ka kaluar shpejt në një fazë të re: nga kërcënimi i bllokimit dhe mbylljes së mediave (pothuajse plotësisht i zbatuar) ka kaluar në kërcënimin me ndjekje penale të gazetarëve dhe qytetarëve që përhapin informacione për armiqësitë ushtarake nëse ato bien ndesh me njoftimet për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në një mesazh për lexuesit.
“Nuk ka dyshim se ky kërcënim do të zbatohet”, vazhdon mesazhi.
Gazeta tha se nuk mund të rrezikonte lirinë e personelit të saj, por gjithashtu nuk mund të injoronte dëshirën e lexuesve të saj për të vazhduar punën, edhe nën censurë ushtarake.
Ajo tha se si rrjedhim po hiqte materialet “mbi këtë temë” nga faqja e saj e internetit dhe rrjetet sociale.
“Ne vazhdojmë të raportojmë për pasojat me të cilat po përballet Rusia: kriza ekonomike në zhvillim, rënia e shpejtë e standardit të jetesës, problemet me qasjen tek ilaçet dhe teknologjitë e huaja dhe persekutimi i disidentëve, përfshirë deklaratat kundër luftës”.
Rusia ka thënë vazhdimisht se organizatat e mediatike perëndimore ofrojnë një pikëpamje të pjesshme dhe shpesh anti-ruse, ndërkohë që siç thotë Moska, ato kanë dështuar të vendosin para përgjegjësisë udhëheqësit e vendeve të tyre për luftërat e huaja shkatërruese si Iraku apo dhe për korrupsionin.
Këtë javë Bashkimi Evropian ndaloi mediat ruse të kontrolluara nga shteti, si RT dhe Sputnik. Facebook-u, Google, YouTube dhe TikTok-u kanë bllokuar tashmë qasjen në vendet e BE-së të RT-së dhe Sputnik-ut. Twitter-i ka njoftuar se do t’i bashkohet kësaj mase të BE-së./ VOA