Ndërtesa e Ministrisë së Brendshme të Ukrainës u vu në flakë.
Harkivi, qyteti në kufi me Rusinë, po shkatërrohet çdo ditë e më shumë nga sulmet ajrore.
Parashutistët rusë qëlluan edhe ndërtesën administrative të rajonit dhe Sheshin e Lirisë, duke vrarë të paktën gjashtë persona.
Objektiv rusët nga lart patën edhe kullën televizive të Kievit dhe memorialin kryesor të Holokaustit.
Edhe këtu pesë civilë u vranë, derisa pesë të tjerë u plagosën.
Shkatërrimin e vendit memorial e dënoi ashpër presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Kjo është përtej njerëzimit. Një sulm i tillë raketor do të thotë se për shumë rusë Kievi ynë është absolutisht i huaj, ushtarët rusë kanë urdhër të fshijnë monumentet e historisë sonë, vendit tonë dhe të gjithë ne,” tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.
Babi Yar, një përroskë në Kiev, është vendi ku rreth 34 mijë hebrenj u vranë brenda 48 orëve në vitin 1941, kur qyteti ishte nën pushtimin e nazistëve.
Megjithatë, Zelensky po pretendon se forcat ukrainase deri më tani vranë rreth 6000 ushtarë rusë.
“Nënat ruse po humbasin fëmijët e tyre në një vend të huaj absolut për ta. Mendoni për këtë numër, pothuajse 6000 ushtarë rusë u vranë.”
Fatin e tyre nuk dihet nëse do ta kenë edhe një konvoj i gjatë më shumë se 65 kilometra i trupave ruse, të cilët janë nisur drejt Kievit.
Se janë vetëm 25 kilometra larg kryeqytetit e konfirmoi, të mërkurën, edhe kryetari i kryeqendrës ukrainase, Vitali Kliçko.