Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se grupi parlamentar i AAK-së do të votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, që përmban edhe pjesën e lejimit të martesave brenda gjinisë së njëjtë
Tahiri tha se si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kanë marrë nga elektori, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm,
Postimi i plotë:
Grupi parlamentar i AAK-së do te votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, i cili përmban edhe pjesën sipas të cilës do të lejoheshin martesat brenda së të njëjtës gjini. Si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kemi marrë nga elektorati ynë, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm.
Ndryshe projektkodi pritet të dalë të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ky Projektkod përfshin një nen i cili i hap rrugën hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Po ashtu, Udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë kanë nënshkruar të mërkurën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës bëhet thirrje që në Projektkodin Civil, të mos bëhen ndryshime sa i përket martesës dhe familjes.
Në këtë deklaratë, prijësit fetarë thanë se ndryshimet sa i përket familjes dhe martesës, cenojnë “fjalën e Zotit”.
Krerët fetarë i bën thirrje deputetëve, Qeverisë dhe institucioneve të tjera që të heqin dorë nga ndryshimet në legjislacionin që përkufizon martesën dhe familjen./