Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar sanksionet e reja, pas agresionit rus ndaj Ukrainës ku dje Putini njohu si të pavarura dy rajonet separatist të Luhanskut dhe Donjeckut, ndërsa sot mori leje nga Duma për dërgimin e ushtrisë jashtë kufijve rus.
Biden shpalli sanksione për borxhin sovran. Kjo do të thotë shkëputje e qeverisë ruse nga financat perëndimore.
“Vladimir Putin ka rrethuar Ukrainën me 150 mijë trupa. Dje njohu si republika dy rajone separatiste dhe tani ka leje për të futur ushtrinë në Ukrainë duke shkelur sovranitetin e një shteti.
Kjo ëdhtë një shkelje flagrante e ligjeve ndërkmbëtare dhe duhet të marrë një përgjigje të prerë nga komuniteti ndërkombëtar. Unë e kam takuar Putinin para pak më shumë se një muaji dhe i thash përballë se ne do të veprojmë nëse ata nisin luftën ndaj Ukrainës. Sot shpallim sanksionet e para ndaj Rusisë”, tha Biden duke theksuar se duke filluar nga nesër bankat ruse do të ndërpriten nga sistemi financiar ndërkombëtar.
Po ashtu, Presidenti Biden tha se janë vendosur sanksione ndaj dy bankave ruse si edhe ndaj disa familjeve të pasura në Rusi, të njohura për afrimitetin me regjimin e Putinit.
Biden tha se janë në kontakt me qeverinë gjermane për të bllokuar gazsjellësin Nord Stream2. Presidenti amerikan theksoi se SHBA-të nuk kanë plan që të luftojnë me Rusinë por do të qendrojnë pranë aleatëve ukrainas dhe atyre të NATO-s për t’I mbështetur përballë agresionit rus.
“Kam autorizuar ushtrinë amerikane që të forcojë pozitat në Letoni dhe Lituani”, tha Biden.
Më herët, zëdhënësja e Biden, Jen Psaki vlerësoi vendimin e Gjermanisë për të të pezulluar gazsjellësin Nord Stream 2 duke theksuar se gjatë orëve të mbrëmjes do të shpallen edhe sanksionet e tjera, tashmë nga administrate Biden.
Presidenti amerikan Biden po flet aktualisht pikërisht për këto sanksione.