Nga ,Agron Hoti :
Për këtë shkrim, mora shkas nga një shok, i cili admironte zellin e Komunës së Rahovecit për të punuar tokën.
Secila komunë i ka karakteristikat e veta. Ka komuna që nëse lyp dru, të japin dru, të tjera po lype qymyr, të japin qymyr, e në Rahovec s’të jep kush as dru e as qymyr, n’qëllofshin pemë apo perime, të japin. Shyqyr që s’jam deputet Kuvendi Kosove se be e rrfe po ju bëj asgjë nuk po ju ‘maltretoj’ me shkrime për Ratkocin dhe Komunën e Rahovecit, sa do t’ju kisha ‘dërmuar’ në Kuvend duke folur për problemet e bujqësisë dhe mjedisit të kësaj komune dhe jo vetëm. Aq shumë do t’ju ‘llomisja’ në Kuvend saqë shumë lehtë do të kishit ardhur te pyetja se a mos na qenka Ratkoci ndonjë San Diego apo Sacramento, ndërsa Komuna e Rahovecit Kaliforni. Kqyre ti tash Ratkoci sikur San Diego, West Coast, haj medet haj, ani mo edhe si Sacramento…
Imagjinoni sa punëtorë janë njerëzit në Komunën e Rahovecit përderisa shumica nëpër fshatra e shehra të Kosovës ngrohen në janarin e ftohtë para kaftorrit, njerëzia atje mbjellin qepë, patate, tranguj, etj.
Shumë po flitet për ndryshimin e madh që na paska ndodhur në Kosovë, por për mjedisin dhe bujqësinë e Komunës së Rahovecit çile gurë gojën në Kuvend, kush s’flet. Kjo sepse si Komuna e Rahovecit, ashtu si shumë komuna tjera – meqë vendi ka vetëm një zonë zgjedhore – janë parë vetëm si hambar mbledhjeje votash nga të gjithë, për t’ia kthyer më pas shpinën e për të mos u marrë fare me të. Sa u përket zgjedhjeve dhe trajtimit vetëm për votë-mbledhje atje po ma lidhin shpesh me fjalët kokërr dhe lugë, send s’po marr vesh. Kaq për sistemin politik që lë anash Komunën e Rahovecit, hambarin nëse jo edhe Kaliforninë e Kosovës, me Ratkocin sikur San Diego…
Për mua, ndryshim në politika e qeverisje do të thoshte vetëm kjo:
1) Nëse qysh nesër do të ndalohej dëmtimi i tokave bujqësore siç po kthehen ato në arena nxjerrjeje zhavori dhe zona urbane pa planet e duhura urbanistike, duke shkelur kështu me të dyja këmbët ligjin për toka bujqësore. Humbjet e tokave bujqësore në Komunën e Rahovecit me dendësi të lartë të popullsisë, automatikisht rrisin varësinë e Kosovës nga importi i produkteve bujqësore me çmime tejet të larta dhe për më tepër inkurajojnë ikjen e të rinjëve jashtë vendit. Se sa është e shtrenjtë toka në Ratkoc, alias San Diego, po ju përmend vetëm një shitblerje prej një ari truall në vlerë prej 60 mijë EUR, saktësisht sikur të ishte në Sacramento;
2) Nëse qysh nesër Qeveria do të koordinohej me BE-në për t’i përshpejtur procedurat e rregullimit të shtratit të Drinit të Bardhë duke marrë parasysh që BE në janar 2021 veç ka ndarë 24 milion EUR për rregullimin e shtretërve të Drinit të Bardhë, Sitnicës dhe Moravës së Binçës për parandalimin e vërshimeve që bëjnë këta lumenj. Qeveria do të duhej që paralelisht të ndante urgjentisht fonde për rregullimin e tërësishëm të shtratit të Drinit të Bardhë sidomos prej fshatit Kramovik të Komunës së Rahovecit e deri në Piranë të Komunës së Prizrenit ku shkatërrimi i shtratit të Drinit të Bardhë dhe tokave buzë lumit ka kaluar çdo limit;
3) Nëse qysh nesër do të lehtësoheshin procedurat e subvencionimit për kultivimin e kafshëve, për produktet bujqësore duke filluar nga qepët e hudhrat, patatet, trangujt, specat, etj., pemët (rrushi, arra, molla, dardha, pjeshka, etj.) duke i inkurajuar qytetarët e Komunës së Rahovecit që të rimbjellin dhe kodrinat, shumica e të cilave çdo vit e më shumë po mbesin djerrina (batall);
4) Nëse qysh nesër do të subvencionohej industria e agropërpunimit, e cila përpos që do të gjeneronte vende pune, do të furnizonte tregun e brendshëm dhe stimulonte eksportin, për më tepër do të mbushte dhe arkën e shtetit të goditur nga Covid 19 dhe jo vetëm;
5) Nëse qysh nesër do të zgjerohej rrjeti i ujit për ujitjen e tokave edhe nëpër kodrina të kësaj Komune (për aq sa e mundshme) duke pasur parasysh që Liqeni i Dukagjinit (ish-Radoniqi) ka kapacitete të mjaftueshme furnizimi. Ka plot donacione e kredira të buta që mundësojnë një gjë të tillë, veç duhet ecur shpejtë Qeveria;
6) Nëse qysh nesër do të shikohej mundësia e hapjes së një Fabrike Sheqeri në Komunë të Rahovecit në mënyrë që të kthehej kultivimi i panxharsheqerit sikur tyneherë, kur panxharsheqeri transportohej nga Ratkoci, alias San Diego, për në Pejë, alias Los Anxheles. Inkurajoj mërgatën tonë me plot firma të mëdha të Komunës së Rahovecit që janë në Zvicër e Gjermani dhe se me një bashkim kapitali aksionesh dhe ndërlidhje me shtetin gjerman e zviceran do të mund ta bënin një Fabrikë Sheqeri në Ratkoc p.sh. jo te ku-mullari, por kah Kryebiçeci për t’i tërhequr fshatrat përreth, për ta bërë kështu Komunën e Rahovecit tamam sheqer…
7) Nëse qysh nesër do zhvendosej Fakultetit i Bujqësisë në Rahovec si dhe të hapej një institut për analiza bujqësore, ku bujqit e kësaj ane do të mund të merrnin mësime për vështirësitë me të cilat janë duke u përballur që një kohë sidomos me sëmundje të ndryshme toke dhe bimësh, aspekte këto që kanë filluar ta dëmtojnë rendimentin dhe plasmanin në treg.
Duhet ndërprerë praktika e dhënies së subvencioneve bujqësore komunave që më së paku merren me bujqësi. Vetëm nëse pikat e lartëpërmendura do të ndodhnin, vetëm atëherë do të mund të flisnim për ndryshim, saqë kur do të shkoje më pas në Komunë të Rahovecit do të t’i ofronin të gjitha: e lyp rrushin, tak rrushin; e lyp trangullin, tak trangullin sa s’dihet; e lyp specin, sytë llullë t’i qet nga djegësimi, e lyp qepën, ta jep qepën sa për nom; e lyp pjeprin e të çarë apo paçarë, ta jep pjeprin e çarë që haj medet haj; thjeshtë të ofrohen të gjitha veç a ta ngrehë konsumimin e tyre.
Sa më shumë procedura që u kërkohen bujqëve, aq më shumë dekurajohen të merren me bujqësi, kështu është edhe me bujqit e tërë botës, të cilët duan të kenë punë sa më pak me letra, mundësisht minimalisht.
Autori i shkrimit Agron Hoti, është duke doktorruar në Universitetin e Lubjanës,në Fakultetin e Shkencave Sociale, Studime Evropiane
/Gazeta Papirus/