Disa shqiptarë të Kosovës u kthyen pas 23 vjetësh në Fishtë aty ku u strehuan në 1999.
“Me hyrjen në Shqipëri në 31 mars menduam ringjalljen se andej ishim të vdekur. U strehuam në Kukës. Pas tre javësh na thanë që duhet të shkonim në vise më të sigurta dhe erdhëm në Zadrimë. Këtu u strehuan 1300 persona.”
“Popullata vendase sa kishte dalë nga lufta civile e 1997 të mirat, material që kishin i ndanë me ne. Na thanë se do na dërgonin në Itali, banorët vendas dolën dhe thanë jo do rrinë këtu do ndajmë shtëpitë tona.”
Ky mësues nga Lezha ishte ndër të parët që priti familjet nga Kosova dhe së bashku me mësues kosovarë ju dhanë mësim fëmijëve.
“Fëmijë kosovarë mësonin me zell kishin humbur familjarë dhe e përballuan me shumë sukses.”
Në Fishtë u ngrit një instalacion për kujtim të eksodit dhe momenteve të vështira të jetës së shqiptarëve të Kosovës. Autori i këtij instalacioni, Bib Frrokaj flet për simbolikën e kësaj strehe.
“Kur më bënë ftesën për të konceptuar diçka për shpërnguljen e kosovarëve në 1999, pata në mendje strehën, strehimin. Kemi qenë një popull që me bukë e kripë dhe zemër kemi strehuar kë ka nevojë jo më vëllezërit tanë përtej kufirit.”
Veç këtij instilacioni u mboll dhe një pemë mani të cilin e sollën nga Prizreni që simbolizon vazhdimësinë e jetës.