Burime nga qeveria amerikane pohojnë se rusët nuk po tërhiqen, por kanë shtuar 7000 ushtarë të rinj në kufirin ukrainas, të cilët janë vendosur në pozicione luftarake.
Amerikanët pretendojnë se rusët gënjejnë kur thonë se ushtria e tyre po tërhiqet. Rusët kanë dislokuar 148,000 trupa rreth Ukrainës. A mjafton kjo për një pushtim të plotë?
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë gjithçka që është e mundur për të gjetur një zgjidhje paqësore për krizën ukrainase.
“Këto përpjekje do të jenë efektive vetëm nëse Federata Ruse është e gatshme që de-përshkallëzimi të jetë shumë, shumë i qartë,” tha Departamenti i Shtetit, duke shtuar: “Ne nuk e kemi parë këtë. Në fakt, javët e fundit kemi parë të kundërtën. Edhe ditët e fundit, gjithnjë e më shumë forca ruse, jo më pak, janë në kufi dhe lëvizin në pozicione luftarake. Ky është një shkak për shqetësim të thellë.”
Al Jazeera shkruan se këto janë fjalët e një diplomati amerikan të paidentifikuar, i cili informoi gazetarët për zhvillimet e fundit, gjegjësisht pikëpamjet aktuale amerikane për krizën ukrainase.
Ai tha se zyrtarët rusë dhe mediat ruse po sajonin një sërë historish, secila prej të cilave mund të shërbente si një justifikim për një pushtim që mund të ndodhte në çdo kohë.
“Bota duhet të jetë gati për një zhvillim të tillë”, tha diplomati amerikan, i cili shpjegoi se këto aktivitete përfshinin pretendime për aktivitet ushtarak ukrainas në Donbas, akuza të rreme për aktivitetet e Shteteve të Bashkuara apo NATO-s në tokë, në det apo në ajër.