Me zgjedhjen e qeverisë së re nga kryeminstri Dimitar Kovaçevski, dhe pas votimit nga ana e parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me datë 10.02.2022, znj.Fatmire Isaki nga radhët e PDSH-së rizgjidhet zv.Ministër pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Më poshtë gjeni biografinë e shkurtër të znj.Fatmire Isaki.
Znj.Isaki është e lindur në Tetovë në vitin 1982. Në vitin 2005, mori titullin Profesor i gjuhës dhe letërsisë Angleze në Fakultetin e Trajnimit Pedagogjik dhe Metodologjik pranë UEJL. Në vitin 2011, mori titullin magjistre e Letërsisë Angleze në Fakultetin Filologjik pranë USHT në Tetovë. Aktualisht ajo është në proces të përfundimit të doktoratës në Fakultetin Filologjik “Blazhe Koneski” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup.
Në periudhën prej vitit 2005 deri vitin 2007, ajo ka punuar si mësuese e anglishtes në disa shkolla fillore në Tetovë. Nga viti 2007 deri vitin 2014, ajo ka punuar në shkollën private për gjuhë të huaja, matematikë dhe informatikë “Neting”. Që nga viti 2007, ajo ka punuar si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Tetovës.
Isaki ka marrë pjesë në disa konferenca, seminare dhe tubime tjera profesionale-shkencore me karakter ndërkombëtar, ku veçojmë pjesmarrjen e saj në vitin 2008 në projektin e finansuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me temë “Projekt për udhëheqësit e rinj evropianë mbi çështjet aktuale shoqërore, politike dhe ekonomike II”, gjithashtu ajo mori pjesë edhe në disa seminare të organizuara nga “IRI”, “NDI” dhe “Antico”. Ajo është autore dhe bashkautore e disa punimeve profesionale të botuara në revista shkencore.
Në vitin 2006 u zgjodh kryetare e Forumit të Gruas në degën lokale në Tearcë të Partisë Demokratike Shqiptare. Në vitin 2007 u zgjodh zëdhënëse e Partisë Demokratike Shqiptare. Në vitin 2017 u zgjodh këshilltare komunale pranë Komunës së Tearcës. Në vitin 2019 znj. Isaki është zgjedhur kryetare e departamentit për politikë të jashtme pranë PDSH-së.
Në vitin 2020, ajo u zgjodh kryetare e Forumit të Gruas pranë Partisë Demokratike Shqiptare. Në të njejtin vit u zgjodh nënkryetare e Partise Demokratike Shqiptare dhe kandidate për deputet në listën e Partisë Demokratike Shqiptare.
Me zgjedhjen e znj.Isaki si zv.Ministre, Partia Demokratike Shqiptare dëshmoi se gjithmonë e ka respektuar dhe do ta respektojë barazinë gjinore në përzgjedhjen e profesionistëve në institucionet shtetërore dhe jo vetëm në strukturat partiake.