Shtetet e Bashkuara do të evakuojnë Ambasadën e tyre në Kiev pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se një pushtim rus i Ukrainës është gjithnjë e më i afërt, raporton Associated Press.
Zyrtarë të paidentifikuar të SHBA-së u cituan nga AP të kenë thënë se Departamenti i Shtetit planifikon të njoftojë më 12 shkurt se pothuajse të gjithë stafit amerikan në Ambasadën e Kievit do t’i kërkohet të largohet përpara një pushtimi rus.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar për të diskutuar çështjen publikisht, thanë se një numër i vogël diplomatësh amerikanë mund të zhvendosen në perëndimin e largët të Ukrainës, afër kufirit me Poloninë, një aleat i NATO-s, në mënyrë që SHBA të mund të mbajë praninë diplomatike në vend.
Departamenti i Shtetit nuk deshi të komentojë.
Më 24 janar, Departamenti i Shtetit i SHBA-së urdhëroi familjet e diplomatëve që punonin në Ambasadën e SHBA-së të largoheshin nga Ukraina për shkak të kërcënimit të aksionit ushtarak nga Rusia.
Por e kishte lënë në diskrecionin e personelit jo-esencial nëse do të donin të largoheshin.
Masa e re vjen pasi Uashingtoni ka përshkallëzuar paralajmërimet për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, duke thënë se mund të ndodhë në çdo moment.
Një operacion i madh ushtarak kundër Ukrainës mund të fillojë “çdo ditë tani”, madje edhe para përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, tha më 11 shkurt këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që të largohen menjëherë nga Ukraina.
“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët amerikanë që mbeten në Ukrainë të largohen menjëherë,” tha Sullivan në një konferencë shtypi.
“Nëse qëndroni, po rrezikoni”, shtoi ai.
Rusia ka mohuar se grumbullimi prej më shumë se 100,000 ushtarësh dhe pajisjeve ushtarake në zonat afër kufirit me Ukrainën është paralajmërim për një pushtim të mundshëm. /REL