Secili deputet i Kuvendit të Kosovës, për çdo muaj pranon në kutinë e tij postare një dokument prej sekretariatit, ku shënohen të gjitha pagesat që i janë bërë për muajin paraprak, ndërsa presidentja Vjosa Osmani mbrëmë deklaroi se sa ka qenë deputet nuk e ka ditur se do të kompensohej për udhëtim, shkruan Gazeta Metro.
Gazeta Metro ka siguruar një dokument ku shihet se si ndahet pagesa për deputetët për muajin paraprak.
Në pikën e parë shkruhet paga bazë, në pikën e dytë është mëditja nga pjesëmarrja në seanca, në pikën e tretë mëditje nga pjesëmarrja në komisione. Pika e katërt dëshmon se sa janë paguar për shujta, pika e pestë shpenzimet e udhëtimit, pika 6 mëditjet dhe kompensimet jashtë vendit.
Të gjitha pikat e shënuara më lartë, evidentohen në dokumentin e pagës mujore dhe evidentohen muaj për muaj.
Dokumenti që iu dorëzohet deputetëve në lidhje me pagesat e tyre nga Kuvendi
Përkundër kësaj pune që bënë sekretariati i Kuvendit të Kosovës, ku i dërgon secilit deputet nga një dokument mbi pagesat e tyre, presidentja Vjosa Osmani e cila në pesë mandate ishte deputete e këtij Kuvendi, ka thënë se atë kohë nuk e ka ditur se do të kompensohej për udhëtim.
“Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dal kjo punë më media, shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim. Në mandatin e parë natyrisht unë jam zgjedhur nga Mitrovica, diku 90 për qind e votave të mija kanë qenë nga atje. Jam regjistruar ashtu, mirëpo asnjëherë, askush, aty në Kuvend nuk thotë që regjistrimi për webfaqe ka të bëjë me ndonjë kompensim, kurrën e kurrës”, tha Osmani mbrëmë në RTK.
Ndaj kësaj deklarata të Vjosa Osmanit ka reaguar sot edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, ku ka thënë se secili deputet çdo muaj pranon në kutinë postare një dokument nga sekretariati ku tregohet për pagesat që janë bërë për muajin paraprak.
“Secili deputet per cdo muaj pranon ne kutine e tij/saj postare nje dokument prej sekretariatit ( departamenti i financave) ku i tregohet per pagesat qe i jane bere per muajin paraprak e qe eshte i ndare ne: pags baze, meditjet nga pjesemarrja ne seanca, meditjet nga pjesemarrja ne komisione, pagesa per shujtat ditore dhe shpenzimet e udhetimit. Meditjet dhe kompenzimet per udhetime jasht vendit paguhen ndaras. Prandaj te thuash se nuk e ke dite sa pare ke marr dhe per ç’fare arsye dmth ose je injorant ose genjeshtar e ndoshta edhe te dyja bashk!”, ka shkruar Pantina.
Pas Shqipe Pantinës, edhe një ish-deputete e Kuvendit të Kosovës e ka përgënjeshtruar deklaratën e presidentes Osmani se “nuk i ka vërejtur 80 eurot e marra në formë mëditje për shpenzime të udhëtimit”. Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alma Lama ka thënë se administrata e Kuvendit çdo muaj sillte zarfin ku listoheshin pagat, mëditjet dhe kompensimet sipas mbledhjeve të komisioneve e seancave.
Në një postim në Facebook, Alma Lama ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë deputete, ka mundur t’i shoh në letër se si është kompensuar për një muaj.
Ajo ka thënë se secili deputet ka mundur të shoh me saktësi detajet rreth pagesave.
“Sa kohe kam qene une deputete, administrata e Kuvendit na sillte cdo muaj ne zarf letren ku listohej paga, meditjet kompensimet sipas mbledhjeve te komisioneve e seancave, perfshire edhe kompensimin per karburant. Pra secili deputet ka mundur te shohe me saktesi detajet rreth pagesave. Ata qe jane deklaruar se banojne ne Prishtine nuk jane kompensuar me karburant”, ka shkruar Lama.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj nga Mitrovica, derisa ajo banonte në kryeqytet.