Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi për shkak të “shtimit të rrezikut për veprime ushtarake ruse” kundër Ukrainës.
“Mos shkoni në Ukrainë për shkak të rritjes të rrezikut për veprime ushtarake ruse dhe COVID-19; ata që ndodhen në Ukrainë duhet të largohen menjëherë,” paralajmëron Departamenti i Shtetit në udhëzimin për udhëtimet në Ukrainë.
Edhe presidenti Joe Biden përcolli të njëjtin mesazh në një intervistë për televizionin NBC.
Qytetarët amerikanë duhet të largohen tani. Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Situata ka ndryshuar dhe ngjarjet mund të precipitojnë me shpejtësi”, tha ai.
I pyetur nëse kishte një skenar të mundshëm që mund ta bënte atë të dërgonte trupa për të shpëtuar amerikanët që po lënë vendin, zoti Biden u përgjigj:
“Nuk ka. Do të ishte luftë botërore nëse amerikanët dhe Rusia fillojnë të hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit. Jemi në një botë më të ndryshme nga ç’kemi parë ndonjëherë më parë”, tha ai.
Rusia mohon të jetë duke planifikuar një sulm ndaj Ukrainës, por ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufirin e saj me vendin fqinj.