Ben Andoni
Aq shumë e kanë trallisur publikun shqiptar zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike saqë sot pothuaj nuk dihet asgjë se çfarë bëhet me kundërshtarin e saj kryesor në pushtet, Partinë Socialiste. Kjo e fundit jo vetëm po drejton e qetë, e jo thjesht di të mbrojë dhe të quajë pozitive çdo hap të vetin, si në rastin e patronazhistëve, por nuk gjen moment pa e qesëndisur këtë gjendje, qoftë në veprime por edhe me të gjithë shfaqjen e vet publike. Po Shqipëria tjetër ajo e gjendjes reale?!
Gjendja e periferisë së kryeqytetit dhe jashtë Tiranës është e dhimbshme. Ikje masive e të rinjve, shtrenjtime të pandalshme çmimesh dhe kudo një administratë e lodhshme dhe e paaftë. Gazetari Montanelli, dekani historik i gazetarëve italianë, e thoshte me një lloj eufemizmi këtë stad të ri, ku dikur arriti e Majta e vendit të tij: “Si ka mundësi që sa herë vinë të Majtët në pushtet, shtohen të varfrit?!” Ka një element që e dallon skajshmërisht drejtimin e vendit tonë kur në fuqi janë të Majtët, ku përveç problematikave, publiku has shumë më tepër sens për rregull por edhe vizion. E megjithatë, përveç kësaj, për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme të partisë dhe masave jo pak herë mirëfilli të Djathta, por edhe një administrate lokale të përgjumur, kjo nuk është përkthyer asfare si duhet me zhvillimin e mirë të Shqipërisë. Vetë kryeministri i vendit, Edi Rama, duke e ditur mirë këtë handikap nuk lë moment pa kritikuar ashpër dhe ka arritur deri në pasqyrimin grotesk të njerëzve dhe stereotipave të tyre, teksa duket i shurdhët për natyrën e masave që ai po merr për vendin. Por kjo nuk ndihmon, paçka ringritjes që i bëri vendit ekipi i tij, sidomos pas tërmetit të fundit dhe pandemisë.
Nëse do t’i referoheshim rastit italian, kjo do t’i shkonte pak viteve, kur e Majta shkoi shumë më tepër sesa këllqet e saj. “Në kulturën italiane, autorizimi i së Majtës është akti që garanton natyrën demokratike të një veprimi të ashpër, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e tij. Jo-ja e së majtës do të sillte të njëjtin akt represiv nën shenjën e dhunës së patolerueshme borgjeze. Edhe nëse Al Qaeda do ishte në anën tjetër”. Fjalët janë të një personazhi aspak të parëndësi. Francesco Cossiga, presidenti italian i viteve 1985-1992, ishte shumë i qartë se vendit të tij i nisnin dhe i mbaronin problemet vetëm nga politika dhe koha do t’ia provonte idenë se: sistemi politik sklerotik italian, i mbështetur kaq gjatë nga Lufta e Ftohtë, do të duhej të ndryshonte në mënyrë drastike pas rënies së Murit të Berlinit. Dhe Cossiga nuk e bëri këtë duke u përpjekur të bashkëpunonte direkt me politikanët italianë dhe duke mëtuar të bëheshin komisione boshe, siç ndodh rëndom, por vendosi të dilte publikisht pa gjuhën e dikurshme të stërholluar, derisa në një moment kur u lodh, të gjithë luftën ia la shtypit: “Ju kam dhënë shumë për të shkruar!”, e mbylli ai asokohe.
Po a mundi e Majta shqiptare pas këtyre 30 viteve të ndryshonte?! Kuptohet se ka ndryshuar plotësisht dhe tashmë edhe faktet tregojnë se ashtu si ajo edhe shumë nga partitë shqiptare ndryshuan edhe pse u ngjizën në ish-Komitetin Qendror. Veçse, ajo nuk u reformua asnjëherë aq sa duhej për t’i paraprirë shqiptarëve dhe për ta nisur me një marsh tjetër zhvillimin e vendit. Qoftë edhe tashmë, kur mori mandatin e tretë qeverisës. Sot, ideologjia e saj i ka lënë vend pragmatizmit të momentit ndaj PS-ja ashtu si kundërshtarët e saj pjellin kriza dhe ato ia implementojnë keqazi vendit me strukturat që mbartin pastaj me vete drejt e në pushtet.
Dhe, të vijmë në ditët tona. Pse e Majta nuk duhet t’i gëzohet shumë kaosit të PD-së?! Kjo e fundit po na mëson dhe na vërteton për të disatën herë argumentin, sesa demokratike është situata e brendshme e partive në vend dhe si na e përcjellin ata këtë shembull kur vinë në pushtet. Ose e thënë më thjeshtë në rastin tonë: E Majta shqiptare është ende shumë larg Të Majtës Evropiane, paçka se koncepti menaxherial “Rilindje” ishte një gjetje e jashtëzakonshme forme. Sot, në këtë parti, ashtu si në të gjithë të tjerat, dëgjon vetëm zërin e kryetarit aktual Rama, që megjithë meritën që e ka mbajtur duke e ringritur në pushtet këtë parti, pothuaj nuk ka lënë as edhe hapësirën më të vogël për kundërshti ose zërin e kundërt dhe alternativ të sjell ide ndryshe. Në të gjithë zhvillimet e fundit të partisë më shumë ka mbizotëruar forma, por aspak përcjellja e problematikave me të cilën hasen njerëzit e vendit, përfshirë dhe militantët e PS-së, që tashmë e kanë pothuaj të gjithë pushtetin lokal me ngjyrat e tyre. Pak muaj më parë specialistët i bënin të qarta disa nga elementët, që e kishin trandur jo pak Shqipërinë: Amnistia Fiskale, mu në vitin e fundit të qeverisjes; rritja e rrogave, që është premtuar sërish nga Rama por pa një studim të përcaktuar mirë; ashtu si politikat e paqarta të P.P.P.-ve, të gjitha bashkë një tollovi, që e kanë çakorduar jo pak vendin.
Në fakt po ta orientonim PS-në drejt Liberalizimit Social, ku zyrtarët e saj tentojnë ta përcjellin të gjithë ideologjinë e tyre, që në fakt s’është më aq e Majtë, publiku kupton se disa nga veprimet e socialistëve nuk është se po i marrin shumë në konsideratë interesat e njerëzve. A mund të jepni një shembull, do thoshin me të drejtë cinikët? Problemet me studentët, kritikat e vetë socialistëve për sistemin shëndetësor si në rastin e fundit me Erion Braçen; problemi i naftëtarëve dhe sjellja ndaj tyre, që kanë treguar realisht se protestat e tyre tek e fundit i bashkojnë honet e mëdha sociale dhe një varfëri që nuk ndalet, e ku shteti, i drejtuar nga të Majtët ka treguar atë formën cinike, përcjellë vite më parë nga Cosigga kur thoshte: që e Majta garanton natyrën demokratike të një veprimi represiv, legjitimitetin dhe ligjshmërinë e tij…
Nëse eufemizmi i Montanellit ishte pak cinik dhe qesëndisës nuk mund të thuash kështu me një përfaqësues tjetër të madh të botës së letrave, i cili e shikonte ndryshe të Majtën. “E Majta ka pasur gjithmonë aftësinë për të shtyrë reformat anti-sociale të cilat, nëse do të vinin nga e djathta, do të ishin refuzuar me forcë”, shprehet Michel Houellebecq.
E Majta, jo thjesht duhet me respektu rregullat e një tregu të lirë, duke ndërhyrë nga sipër me anë të pushtetit por duhet t’i gjendet komuniteteve më vulnerabil ngado në vend, të cilat sot përballen nga fuqi ekonomike që duan të krijojnë monopole ngado dhe për më tepër nuk duan t’ia dinë për autoritetin e shtetit. Zhgënjimi vjen edhe më ballë për ballë nga masat e thjeshta me ikjen masive të njerëzve, krizën e shqiptarit të zakonshëm, pasigurinë totale ngado në vend, favorizimet e stërmëdha dhe të padrejta në biznes, përkrahjen e monopoleve…dhe P.P.P.-të. Më këndshëm e shkroi edhe më qartë, pak vite më parë një kërkues italian, Emiliano Brancaccio: “E Majta është në krizë sepse pasi hyri në qeveri, filloi të zbatonte politikat e të Djathtës. Dhe me goxha zell, mund të shtojmë. E konsiderojmë ne të tillë mënyrën e tregut të punës, një pjesë e majme e reformave që kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë në Europë ka ardhur si pasojë e qeverive me frymëzim socialist”.
A është ky rasti i Shqipërisë? Edi Rama sapo e kristalizoi pushtetin e tij në krye e zhvendosi Partinë Socialiste nga kanonet bazë të së Majtës, duke e përcjellë te e ashtuquajtura “Rruga e tretë apo Social-liberalizmi”, një variant i socializmit i ideuar nga Tony Blair. Ish-kryeministri britanik ishte shumë familjar në Shqipëri në fillimet e PS-së nën Ramën. Kjo bëri që politika socialiste nën këtë sens të forconte shumë privatin pa e futur shtetin, apo t’i jepte gjithnjë e më pak hapësirë pjesës sociale vulnerabël në vend, që reagimin normal e ka përmes largimit nga vendi dhe humbjes totale të sigurisë. Ndaj të varfrit shtohen shpesh me ardhjen e socialistëve, sepse pas fasadës së bukur fshihen honet e padrejtësisë, që t’i i has ngado në vend. Kjo mund t’i ngushëllojë pak Demokratët, që kanë dalë nga një mitër bashkë me PS-në, por që tashmë nuk po e gjejnë dot identitetin e tyre, ashtu si Socialistët e thjeshtë, që në këto vjet provuan shumë nga eksperimentet alla-Rama…duke soditur varfërinë e tyre. (Homo Albanicus)