Qeveria e Kosovës i ka vendosur sanksione regjimit të autokratit, Alyaksandr Lukashenko, në Bjellorusi.
183 individë dhe 26 entitete të lidhura me regjimin e Lukashenkos, janë sanksionuar nga Qeveria e Kosovës.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën, raporton Paparaci.
“Pika e katërt është shqyrtimi i propozim-vendimit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve bjelloruse të ndërlidhura me regjimin e presidentit bjellorus, Aleksandyr Lukashenko”, ka propozuar Kurti pikën e katërt të rendit të ditës.
Sanskionet janë vendosur bazuar në një propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ato janë miratuar me shumicë të votave.
Të njëjtat sanksione ndaj Lukashenkos, paraprakisht i kanë vendosur Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.
Personat e sanksionuar janë të përfshirë, në atë që blloku evropian thotë se është orkestrim i Minskut për krizën që ka lënë mijëra migrantë në kushte të rënda në kufirin ndërmjet Bjellorusisë dhe BE-së. /Paparaci.com