Deklarata e mbrëmshme e Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, ka ngjallur reagime të shumta në vend.
Drejtori i Gazetes Express dhe T7, Leonard Kerquki ka thënë se kjo deklaratë është sulmi më i rëndë mbi mediat dhe gazetarët. Ai ka shtuar se kjo është thirrje për dhunë ndaj gazetarëve dhe familjeve të tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kerquku në një postim në Facebook ka thënë se shqetësim i tij është se sikur Sadriu, siç thotë ai, mendojnë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
“Deklarata e Prindon Sadriut (Zotëri i Parë, Shef i misionit tonë në Shkup, rezervist i FSK’së) është sulmi ma i rëndë mbi mediat dhe gazetarët. Është thirrje për linç, thirrje për dhune ndaj gazetarëve dhe familjeve të tyre nga një përfaqësues i pushtetit te ri, që po shndërrohet në pushtet arrogant dhe jodemokratik. Shqetësimi im është se sikur Prindoni, për mediat dhe gazetarët, mendojnë edhe Vjosa Osmani dhe Albin Kurti”, ka shkruar Kerquki.
Ai ka potencuar se nëse presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti nuk marrin masa ndaj Sadriut, deklarata e tij “duhet të konsiderohet si komunikatë zyrtare e Shtetit të Kosovës për mediat dhe gazetarët”.
“Mos u çuditni nëse pushteti fillon hakmarrjen ndaj gazetarëve dhe familjeve të tyre pas kësaj deklarate. Është me rëndësi që prania ndërkombëtare në vend të pozicionohet fuqishëm kundër kësaj deklaratë dhe kundër këtij sulmi brutal të pushtetit kundër mediave”, ka shkruar Kerquki në Facebook.
Prindon Osmani mbrëmë i quajti ndërmarrje kriminale mediat që raportuan për kompensimin e shpenzimeve të deputetëve për udhëtim, ku përfshiheshin edhe ato të Presidentes Vjosa Osmani, në kohën kur ajo ishte deputete.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu të martën në Facebook.
net/