Në Gjykatën Speciale nuk janë duke janë duke u gjykuar individët, është duke u gjykuar historia, narracioni i luftës dhe e ardhmja e Kosovës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Pierre Prosper, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në Hagë ka tendencë për të rishkruar historinë e Kosovës nga një Gjykatë, e cila po e gjykon popullin që vet e ka krijuar. Ai thotë se mbrojtja tashmë ka humbur besimin në një Prokurori, e cila fsheh dokumentet shfajësuese për krerët e UÇK-së.
Në këto rrethana, Prosper i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, Bashkimit Evropian, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të Kosovës që të monitorojnë punën e kësaj gjykate. Ai kërkon që populli i Kosovës të ketë pronësi në këtë proces, duke u përfshirë, meqë ky proces do të përcaktojë të ardhmen dhe fatin e Kosovës.
Pierre Prosper, në tri dekadat e fundit si ambasador i SHBA-së për krime lufte, ka marrë pjesë në krijimin e shumë Tribunaleve, Gjykatave Hibride në Hagë dhe në botë, duke pas një bagazh të jashtëzakonshëm në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare.
“Teoria e prokurorisë se UÇK-ja është një organizatë kriminale është shumë problematike. Është problematike nga aspekti i realitetit se çka ka ndodhur. Është problematike edhe sepse kur flisni për këtë, atëherë, përtej kësaj teorie, ju po thoni se NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare janë renditur, me vetëdije, me një organizatë kriminale. Dhe ky është një nga problemet që e kemi me këtë rast. Ne besojmë se kjo teori është e ekzagjeruar, e pasaktë dhe ka për qëllim të rivendosë dhe të korrigjojë historinë”, është shprehur ai.
I pyetur se a beson se krerët e UÇK-së do të dalin të pafajshëm nga ky proces, Prosper ka thënë se ky është qëllimi dhe se beson fuqishëm në pozitën e mbrojtjes.
“Ky është dhe qëllimi! Qëllimi është që e vërteta të dalë në pah. Dhe ne besojmë fuqishëm në pozitën tanë si mbrojtje. Ne besojmë fuqishëm se faktet do të tregojnë se ata nuk janë përgjegjës për krimet me të cilat ngarkohen. Është e rëndësishme edhe për popullin e Kosovës që ta dijë se, siç thashë, ky rast është për Kosovën, është rast për shoqërinë, është rast për të ardhmen dhe historinë e tij. Prandaj, populli duhet të jetë më i përfshirë dhe duhet të kujdeset për këtë. Qeveria aktuale duhet të kujdeset për këtë. Sepse, sa më shumë sy që i lëshohen këtyre procedurave, aq më shumë ka gjasa që të kemi një proces korrekt dhe transparent. Nëse populli nuk e vret mendjen për këtë, nëse populli mendon se kjo është një çështje që i përket Hagës, atëherë ajo çka mund të ndodhë është se nuk do të ketë rezultate në interes të vendit. Mënyra e vetme që sundimi i ligjit të funksionojë është kur secili angazhohet dhe është aktiv. Sepse, duhet të dimë se sundimi i ligjit është diçka rreth popullit, nga populli, për popullin. Nuk është një institucion që i thotë popullit ose një shoqërie se si duhet të mendojë ose si ta shohë botën, ka thënë ai.