Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku sipas listës së shpenzimeve për derivate ka dalë se ka marrë 540 euro si kompensim për udhëtim për vitin 2021, e për këtë thotë se nga sot do të heq dorë nga privilegjet e përcaktuara për deputet.
Lushtaku përmes një postimi në Facebook tha se që nga viti 2017 deri në vitin 2020 nuk ka shpenzuar asnjë cent për derivate.
“Gjatë këtyre ditëve është bërë aktuale çështja e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve. A është bërë me qëllim të shpërqëndrimit të vëmendjes tuaj nga shtrenjtimi i rrymës elektrike, apo jo, gjykojeni secili me mendje të kthjellët. Për hir të korrektësisë dhe të vërtetës, e ndjej për obligim që të jap disa sqarime.
Si përfaqësues i popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga viti 2017 sa kam hyrë në politikë, për katër vite (2017, 2018, 2019, 2020) kam shpenzuar 0 (zero) cent, ndërsa tani jam informuar nga mediat për kompensimet e udhëtimit për vitin 2021.
Duke e kuptuar indinjatën tuaj, marrë parasysh gjendjen socio ekonomike në vend shpreh keqardhjen time dhe njëherit ju bëj me dije që nga sot do të heq dorë nga këto privilegje të përcaktuara për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkroi Lushtaku.