Një skandal i madh ka përfshirë Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në kundërshtim me ligjin, dyshohet se janë vendosur kamera për video-incizimin e pavijoneve në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan. Paparaci ka mësuar se dy zyrtarë të ShKK-së janë suspenduar nga puna.
Fatlinda Mustafa, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan dhe Ilir Kelmendi, drejtor për Siguri në Shërbimin Korrektues (ShKK), janë suspenduar nga puna të hënën.
Ata, janë vënë para përgjegjësisë për një skandal që ka përfshirë Shërbimin Korrektues të Kosovës, raporton Paparaci.
Kamera të sigurisë janë vendosur në mënyrë të dyshimtë në pavijonet e femrave në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ka mësuar Paparaci nga burime të mirëinformuara brenda ShKK-së.
Ministrja Albulena Haxhiu dhe Fatlinda Mustafa, u.d. e drejtoreshës në QK për gra, Lipjan
Sipas burimeve të Paparacit, kamerat kanë vëzhguar gratë që vuajnë dënimet në Qendrën Korrektuese në Lipjan. Veprimet paraqesin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe shkelje të privatësisë së qytetarëve, sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ali Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të ShKK-së, ka refuzuar të flasë, i kontaktuar nga Paparaci të hënën.
Ai, ka thënë se ndodhet në një takim. Ka fikur telefonin.
Për rastin, është shprehur të mos jetë në dijeni as zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu. Ai i ka sugjeruar Paparacit të drejtohet për sqarime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
E suspenduara, drejtoresha në detyrë e Qendrës Korrektuese për Gra në Lipjan, Fatlinda Mustafa është emëruar në krye të qendrës vitin e kaluar.
Emërimi i saj ishte proklamuar si sukses nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Qendra Korrektuese për gra në Lipjan, për herë të parë do të drejtohet nga një grua”, kishte thënë ministrja Haxhiu me rastin e emërimit të Mustafës në krye të Qendrës Korrektuese për gra.
Qendra Korrektuese e Kosovës funksionon pa drejtor gjeneral që nga muaji maj i vitit të kaluar, kur ish-drejtori Nehat Thaçi ishte pezulluar nga puna, e më pas ishte shkarkuar. /Paparaci.com