Ligji për Duhanin e ndalon pirjen e duhanit në institucione publike, por një ligj i tillë duket se nuk po vlen edhe për një pjesë të stafit shëndetësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Përveç që nuk kujdesen vazhdimisht për pacientët në mënyrën e duhur, ata shpeshherë shihen edhe duke tymosur duhan brenda hapësirave të QKUK-së.
Demokracia.com ka siguruar një video, e cila duket së është më e vjetër, ku një pacient në QKUK dëgjohet duke kërkuar ujë.
“O ujë bre, o veç një pikë ujë”, dëgjohet duke thirrur një pacient, teksa aty nuk shihet asnjë infermierë. Derisa infermierët dëgjohen duke bërë muhabet në njërën nga zyrat e QKUK-së.
Sipas burimit që e ka dërguar këtë video të Demokracia.com, infermieret kanë qenë duke pirë kafe dhe bërë muhabet aty dhe jo duke u kujdesur për pacientët.
Ky nuk është rasti i vetëm kur infermierët apo mjekët tymosin duhan brenda hapësirave të QKUK-së.
Disa muaj më parë ishte fotografuar edhe anesteziologia dhe tashmë Kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj – Gashi.
Gecaj-Gashi ishte fotografuar teksa tymoste duhan afër sallës operative dhe brenda zyrës së saj.
Madje, ajo ishte parë më shumë se një herë duke ndezur cigaren brenda hapësirave të QKUK-së.
Në sallën operative, sipas burimeve të Demokracia.com, nuk guxon të hyj askush me rroba civile, lëre më të konsumojë edhe cigare.
Me Ligjin për Duhanin, neni 11, pika 3.2, saktësohet që duhani jo vetëm nuk pihet në ambiente brenda objektit shëndetësor, por edhe “në afërsi të hyrjeve/daljeve të hapësirave publike, hyrjeve/daljeve të hapësirës së punës dhe hyrjeve/daljeve të institucioneve shëndetësore”.
Ndërsa, me nenin 12, pika 1.3, saktësohet se jo vetëm që zyrtari nuk bën të ndezë cigare vetë, por ai duhet të “mbikëqyr respektimin e ndalimit të pirjes së duhanit”.
Për më tepër, duhet të “ndërmarrin hapa për të ndalur personin nga pirja e duhanit në vendet ku është i ndaluar, duke kërkuar nga personi që të mos pijë duhan, të mos i ofrojnë shërbim dhe të kontaktojnë organet përkatëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit”.
Nëse zyrtari pi vetë duhan brenda ambientit të punës, jo vetëm gjobë, por atij “organi i punësimit i zbret nga paga neto mujore prej pesëdhjetë (50)”. /Demokracia.com/