Mes tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se Evropa aktualisht po përballet me “momentin më të rrezikshëm” që nga Lufta e Ftohtë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në Washington me sekretarin e shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, kryediplomati i BE-së këmbënguli se ka vend për një zgjidhje diplomatike të krizës.
“Ne ndajmë një shqetësim të fortë në lidhje me rreziqet që po mblidhen në kufirin ukrainas me Rusinë dhe sigurisht ne po jetojmë, sipas kuptimit tim, momentin më të rrezikshëm për sigurinë në Evropë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë”, tha Borrell.
Borrell tha se diplomacia është mënyra për të adresuar shqetësimet e të gjithëve, përfshirë edhe atë të Rusisë, në mënyrë që të shmanget më e keqja.
“Qëndroni të përgatitur për më të keqen dhe përpiquni ta shmangni atë”, shtoi ai.
Rusia ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikë se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
SHBA dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me “pasoja të rënda”. Megjithatë, Moska ka mohuar se po përgatitet të pushtojë Ukrainën dhe ka theksuar se trupat e saj janë atje për stërvitje.
“140 mijë trupa të grumbulluara në kufi nuk do të pinë çaj. Kështu që ne duhet të shtojmë përpjekjet tona për të shmangur një rrezik të madh”, shtoi Borrell.
Blinken, nga ana e tij, përsëriti gatishmërinë e SHBA-së për të vazhduar bisedën me Rusinë mbi shqetësimet reciproke të sigurisë.
“Rruga diplomatike është e qartë. Në të njëjtën kohë, ne dhe aleatët tanë jemi të vendosur se do të ketë pasoja reale dhe të thella nëse Rusia zgjedh të vazhdojë agresionin”, shtoi Blinken.
SHBA dhe aleatët vazhdimisht i kanë kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, të tërhiqet dhe të shmangë çdo agresion kundër ish-republikës sovjetike.
“Ajo që do të ndodhë më pas do të varet nëse presidenti Putin do të zgjedhë të angazhohet në një rrugë kuptimplote përpara në diplomacinë për sigurinë kolektive të zgjeruar ose nëse ai do të zgjedhë rrugën e konfliktit të mëtejshëm me Ukrainën”, tha Blinken.
Sido që të jetë, theksoi ai, SHBA, aleatët dhe partnerët e saj janë “të përgatitur”./AA