Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka marrë pjesë në tryezën shkencore kushtuar studiuesit të albanologjisë, profesorit dhe drejtuesit shumëvjeçar të Institutit Albanalogjik të Prishtinës, Sadri Fetiu, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij,
Sot kryeministri Kurti, ka mbajtur një fjalim të gjatë kushtuar profesorit dhe drejtuesit shumëvjeçar të Institutit Albanalogjik të Prishtinës, Sadri Fetiu, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Por ajo që ka ra në sy ka qenë një fjali e Kurtit që nuk kuptohet se çfarë në të vërtetë ka dashur të thotë.
“Sa është i rëndësishëm prindi, po aq i rëndësishëm është edhe prindi i prindit e që nuk është gjyshi. Para se të kem mësuese timen, kam pasur mësues të prindit tim, e që ka qenë Sadri Fetiu”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar familjarë të prof.dr. Sadri Fetiut, zonja Fetije, Shkëlzen, Shqipe, Jetë,
I nderuari profesor akademik Rexhep Qosja,
I nderuari drejtor i Institutit Albanologjik, z. Hysen Matoshi,
Të nderuar miq, studiues e bashkëpunëtorë të profesor Fetiut,
Të nderuar deputetë të Kuvendit e veprimtarë, Avni Dehari, Hydajet Hyseni e Gani Krasniqi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Para se ta njoh si studiues të pasionuar të folkloristikës dhe drejtues shumëvjeçar të Institutit të Albanologjisë, Sadri Fetiun e kam njohur si mësimdhënës e patriot. Me shumë admirim më fliste babai për profesorin e tij të dashur të gjuhës shqipe.
E përshkruante pedagog të urtë, i cili rrezatonte te nxënësit dashamirësi, humanizëm, kulturë, sinqeritet. Gjithnjë i natyrshëm në biseda, asnjëherë kërcënues, tejet i sjellshëm, kurrë i acaruar dhe gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar secilin. Mbi të gjitha, ai impononte respekt me personalitetin e tij të padiskutueshëm intelektual e shkencor. I tillë do të mbetej gjithë jetën.
Profesor Fetiu kishte nisur të ligjërojë lëndën e gjuhës shqipe ende pa i përfunduar studimet, sikurse bënin shumë studentë shqiptarë të kohës. Kishte mungesë të kuadrove të arsimuar shqiptarë dhe shumica e lëndëve ligjëroheshin nga profesorët serbë. Kjo situatë duhej të ndryshonte dhe mësuesit e arsimtarët ishin të nevojshëm si buka e uji.
Ishte viti shkollor 1965/66 kur në shkollën e mesme teknike të Prishtinës, nisi të japë mësim profesori, i cili me qasjen e tij në ligjërim ua ndryshonte nxënësve botëkuptimet dhe mbrunte te ta ndjenjat më të larta për idealin kombëtar dhe rëndësinë e arsimimit të shqiptarëve.
U fliste me pasion e krenari për rilindasit dhe veprat e tyre. Nëpërmjet poezive ua ngjallte në shpirt atdhedashurinë dhe kureshtjen për letërsinë, artin dhe të bukurën. Natyra e tij prej njeriu të urtë e të qetë nuk ia lejonte as vrazhdësinë as autoritetin mbi nxënësit. Me butësi e gjentilencë u ofrohej atyre kur donte të testonte njohuritë e nxëna. Një “trokitje” e lehtë me grusht në supin e tyre ishte mënyra sesi ai u kërkonte të ngriten në këmbë për të recituar poezinë apo për të shpjeguar njësinë e fundit mësimore. Te ai nxënësit gjenin edhe mbrojtësin edhe përkrahësin më të madh për çfardo padrejtësie që u bëhej nga autoritetet e shkollës apo të pushtetit.
Unë si fëmijë, para se ta hasi Evgjeninë te letërsia dhe mitologjia antike, Euripidi e Lukreci e më vonë edhe te Dante e te Gëte, e kam mësuar Evgjeninë e Andon Zako Çajupit te poezia “Vaje”. Mirëpo para se të shkoj në shkollë e mbaj në mend mirë që babai e recitonte këtë poezi, të cilën unë mendoja që quhet “Evgjenia”, e jo “Vaje”. Atëkohë jo vetëm që mendoja që quhet “Evgjenia” e jo “Vaje”, por mendoja që e ka shkruar Sadri Fetiu, sepse babai e recitonte poezinë edhe thoshte që ja ka mësuar Sadri Fetiu. E unë besoja që ai që ia ka mësuar edhe e ka shkruar. Është dashur shumë vjet më vonë në shkollë ta marr vesh se poezia nuk quhet “Evgjenia”, por quhet “Vaje” dhe se nuk e ka shkruar Sadri Fetiu, por e ka shkruar Anton Zako Çajupi. Sa është i rëndësishëm prindi, po aq i rëndësishëm është edhe prindi i prindit e që nuk është gjyshi. Para se të kem mësuese timen, kam pasur mësues të prindit tim, e që ka qenë Sadri Fetiu.