Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde është shprehur i shqetësuar lidhur me fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, të cilën Ministria e Kulturës e konsideron si një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.
“Kjo është kultura e kujtesës në mënyrën e gabuar!”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter, duke bërë thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta lidhur me Holokaustin.
Kundër kësaj deklarate ka dalur analisti politik, Nexhmedin Spahiu. Në një deklaratë për Demokracia.com Spahiu ka thënë se Rohde është keqinformuar për veprimtarinë e Xhafer Devës.
Sipas tij, Serbia ka bërë fushatë propaganduese kundër Xhafer Devës, pasi ai ishte ideator i Pavarësisë së Kosovës.
Ai ka thënë se shtëpia e Xhafer Devës duhet të rinovohet duke shtuar se është një monument i rrallë në Kosovë.
“Ambasador gjerman është i keqinformuar për veprimtarin e Xhafer Devës nga propaganda e Serbisë, e cila ka ndërmarr një fushat gjithandej në institucionet ndërkombëtare kundër figurës së së tij. Natyrisht që shtëpia e Xhafer Devës duhet të rinovohet, kjo shtëpi është një monument i rrallë në Kosovës, është një shtëpi e stilit Barok e vetmja në Mitrovicë, ndoshta edhe Kosovë. Përveç vlerave arkitektonike kulturore ajo ka edhe vlerën se është shtëpia e Xhafer Devës, njëra nga figurat me emblematike të historisë. Qeveria serbe ka marr një propagandë aq të fuqishme kundër Xhafer Devës për shkak se në Lidhjen e tret të Prizrenit, në një farë mënyre, ai është babai i idesë për Pavarësinë e Kosovës dhe këtu i dhëmb Serbisë, prandaj Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë një fushatë të tillë për ta njollosur figurën e atij që e ka dhënë këtë ide dhe vetë idenë e Pavarësisë Kosovës”, ka thënë Spahiu.
Tutje Spahiu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos s’mbrapset nga ideja për rinovimin e shtëpisë.
“Nuk mund të gjykosh për një personalitet në bazë të dy ose tre librave të propagandës që i ke lexuar. Së pari Xhafer Deva ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë amerikanë për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri dhe ai aty ka shkuar me ndihmën e lobit hebraik, për shkak të kontributit të tij që ka dhënë gjatë luftës së dytë botërore për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Numri i hebrenjve në Shqipëri prej fillimit deri në mbarim të luftës së dytë botërore është pesëfishuar, pasi jo vetëm që i ka mbrojtur hebrenjtë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe hebrenjtë e ardhur nga vende si Bullgaria e Serbia. Kështu që Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarr një fushat si kundërpërgjigje ndaj Qeverisë së Serbisë dhe jo të heq dorë nga restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës. Denigrimi i figurës së Xhafer Devës denigron gjithë klasën politike të Kosovës dhe gjithë historinë e Kosovës”, ka thënë Spahiu.
Ndryshe, Serbia ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos japin para për ta restauruar shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, që ka nisur tash e një javë.
Sipas ministres së Kulturës dhe Informimit në Serbi, Maja Gojkoviq, Deva “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.
“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje”, tha Gojkoviq, duke theksuar se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë çështje