Një grindje mes shqiptarëve dhe grekëve ka ndodhur në Athinë pas debateve në rrjetet sociale për ekzekutimin e ekstremistit grek nga RENEA. Tre grekë dhe tre shqiptarë të plagosur është bilanci i përleshjes në një park në zonën Jeraka të kryeqytetit grek.
Policia thotë se dy grupet fillimisht janë përballur me njëri-tjetrin në rrjetet sociale dhe më pas janë takuar në zonën Jeraka, ku janë përleshur duke përdorur sende të forta, thika dhe zinxhirë, madje në vendngjarje është gjetur edhe një pistoletë, bën me dije policia greke.
Të plagosurit u dërguan në dy spitale të ndryshme të Athinës.
Mbrëmjen e së dielës, përpara Ambasadës Shqiptare në Athinë, u organizua edhe një protestë për vdekjen e Kostandinos Kaçifës në Bularat të Gjirokastrës. Në protestë ishin edhe dy deputetë të Partisë Agimi i Artë, si dhe eksponentë të organizatave që përfaqësojne minoritetin grek. Ata kënduan himnin grek dhe hodhën parulla kundër Shqipërisë, ndërsa 35-vjeçarin e cilësuan hero.