Qeveria e Kosovës ka miratuar lehtësimin e masave për parandalimin e COVID-19.
Në një konferencë për medie, kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë bërë të ditur se nga e shtuna në ambientet e jashtme nuk do të jetë e obliguar mbajtja e maskës.
Ndërkaq, hyrja në Kosovë lejohet edhe me 2 vaksina, apo me 1, nëse është Jonsson, por edhe me një dozë të shoqëruar nga një test PCR negativ.
Kufizimi i lirisë së lëvizjes, nga e shtuna, do të nisë prej orës 00:00 deri në 05:00 të mëngjesit, ndërkaq është shtuar edhe orari i gastronomisë deri në orën 23:00, por në orën e fundit pa muzikë.
Nga e shtuna mund të hapen edhe fitneset e palestrat, puna e të cilave ishte ndalur dy javë më parë me masat e kaluara.
Në konferencën e së premtes u tha se Omicronin Kosova po e përballon më mirë se rajoni, derisa edhe shkallën e vdekshmërisë e ka më të ulët. Ndërkaq, masat e marra dy javë më parë u cilësuan të suksesshme.