Skiatori Albin Tahiri për herë të dytë do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore.
Ai edhe këtë herë ishte flamurmbajtës i Kosovës në parakalimin e ekipeve olimpike që janë pjesën e Pekin 2022.
Në një intervistë për Telegrafin nga Pekini, Albin Tahiri që merr pjesë në katër disiplina ka folur për ndjenjat në parakalim, synimet e tij dhe rritjen e sportit të skijimit në Kosovë.
“Sot jam nderje krenar që bartur flamurin e Kosovës, si gjithmonë që ndjehem. Ishte një moment special për mua. Kujtimet para katër vitesh mu kthyen në kokë, isha i emocionuar, një eksperiencë e jashtëzakonshme. Një ngjarje e madhe”, ka thënë fillimisht Tahiri për Telegrafin.
Skiatori ka thënë se qëllimi i tij është të futet në mesin e 30-të më të mirëve dhe ndjehet mirë para garave.
“Dua të jem në top 30, ky është qëllimi i im. Mendoj që me pak fat dhe paraqitje të mirë mund t’ia arrijë. Dua të thyej rekordet e mia që i kisha më herët në olimpiadën e kaluar. Do ta jap më të mirën pastaj do të shohim”, nënvizoi ai.
Tahiri ishte i vetëm në Pyeong Chang para katër vitesh, ndërsa tani së bashku me të është Kiana Kryeziu, e cila po ashtu e ka siguruar normë për një garë. Ai thotë se është i lumtur, ndërsa shton se duhet të punohet shumë që të rritet numri i atletëve në garat ndërkombëtare.
“Jam shumë i lumtur që nuk jam vetëm këtë herë. Kiana është këtu, me një disiplinë. Shpresoj që herën e ardhshme të sigurojë më shumë disiplina”.
“Për të rritur numrin duhet të punojmë shumë, pasi për të arritur këtu duhet të jesh në top 100 më të mirët. Duhet të punojmë shumë dhe të konkurrojmë fort. Jemi vend i vogël dhe dy janë numër i mirë”.
“Do të jemi sigurt dy atletë edhe në lojërat e ardhshme, ndërsa për më shumë duhet të punojmë që ta arrijmë”, përfundoi skiatori ynë.
Tahiri ka siguruar normën në katër disiplina të skijimit alpin, ku do të marr pjesë në gara si: Lëshim, Sllallom i madh, Kombinim Alpin dhe Sllallom.
Garën e parë Tahiri do ta ketë me 6 shkurt në lëshim. /Telegrafi/