Pagat e larta e mëditjet nuk u kanë mjaftuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ata janë kompensuar për të shkuar në seanca e komisione paralamentare.
Por dy deputetë të Vetëvendosjes të cilët janë kompensuar për derivate po del që nuk kanë fare vetura.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi i cili ka marrë 690 euro kompensim për derivate për udhëtim nga Prizreni nuk ka fare veturë.
Kjo del nga deklarimi i tij i pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit.
Në formularin e deklarimit të pasurisë, Abrashi nuk ka të deklaruar ndonjë veturë as në pronësinë e tij e as të bashkëshortes.
Për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.
Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 Euro, e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 Euro.
Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka marrë 290 euro kompensim për dy mauj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.
Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendasja e saj, deputetja Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro, e Gazmend Gjyshinca ka marrë 140 euro.
Ish-drejtori i Policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.