Italia së shpejti do të bëjë të ditur lehtësimin e masave COVID-19, ka bërë të ditur të mërkurën kryeministri Mario Draghi, pasi një rritje e rasteve të nxitura nga varianti shumë ngjitës Omicron, filloi të ngadalësohej.
Italia ka regjistruar më shumë se 147,000 vdekje të lidhura me koronavirusin dhe 11.23 milionë raste pozitive, nga pandemia e nisur dy vjet më parë.
Shumë kufizime, përfshirë ato në transport dhe restorante, tashmë janë lehtësuar për të vaksinuarit, ndërsa kufizime të ashpra mbeten në fuqi për ata që nuk janë vaksinuar. Ndërkohë, mbajtja e maskës është e detyrueshme vetëm jashtë.
“Në javët në vijim, ne do të vazhdojmë në këtë rrugë të rihapjes. Bazuar në provat shkencore, ne do të shpallim një plan kohor për heqjen e kufizimeve aktuale”, u citua të ketë thënë Draghi nga zyra e tij në një takim kabineti.
Fushata e vaksinimit të qeverisë ka qenë gjerësisht e suksesshme, me më shumë se 80% e njerëzve që kanë marrë dy doza të vaksinës, ndërsa më shumë se 57% kanë marrë një dozë të tretë përforcuese.
Draghi ka thënë se vlefshmëria e lejes shëndetësore për COVID-19 – që tregon se dikush është i vaksinuar ose është shëruar së fundmi nga sëmundja, do të jetë e hapur për ata që kanë marrë një dozë të tretë. Leja është e nevojshme për të pasur akses në shumicën e aktiviteteve.
Qeveria të mërkurën paralajmëroi lehtësim të rregullave të karantinës edhe në shkolla për nxënësit që ishin vaksinuar.