PSD: Do të mbahen përgjegjës ata që kanë tejkaluar kompetencat komanduese në arrestimin e Molliqajt

Partia Socialdemokrate ka akuzuar Qeverinë Kurti se me arrestimin e kreut të kësaj partie Dardan Molliqaj po tenton të frikësojë opozitën.

Anëtari i Kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj, i cili është edhe pjesë e mbrojtjes së Molliqajt ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e kreut të partisë, Dardan Molliqajt.

“Gjatë arrestimit nuk janë treguar arsyet e arrestimit e as nuk është prezantuar fletarrestim. Fletarresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor. Neve na është treguar vetëm një screnshot ku kemi vërejtur se është realizuar pas arrestimit”, thja ai, transmeton Telegrafi.

Kukaj thotë se gjatë operacionit janë angazhuar rreth 60 zyrtarë policorë.

“Aktvendimi nuk na është dhënë as neve si vendim i mbrojtjes për masën për paraburgosjen prej 48 orësh që është shkelje. Një masë e tillë mund t’iu shqiptohet personave që duhet të plotësohen, e këto kushte nuk janë plotësuar me Molliqajn. Ne e konsiderojmë këtë veprim si tejkalim i kompetencave nga prokurorja e rastit”.

“Edhe ftesat nuk janë dorëzuar në bazë të procedurave penale”.

Anëtari i Kryesisë së PSD-së thotë se Molliqaj ka qenë gjatë ditës në zyre dhe në qytet dhe nuk i është fshehur policisë.

“Arrestimi i Mollqajt pak para emisionit ka qenë i motivuar politikisht. Arrestimi ka ndodhur për shkak të fushtës linçuese pas protestës së mbajtur ditën e shtunë”.

PSD kërkon lirimin e mënjëhershëm të kryetarit të saj.

“Fakti që kemi një operacion të organizuar pa një fletarrest, tregon se gjithçka ka qenë e motivuar dhe orkestruar politikisht, dhe me një orvatje të shtetit të Kosovës, partisë në pushtet kundër Molliqaj për shkak të incidentit që ka ndodhur të shtunës dhe fushatës linçuese që është prej atij incidenti nga ai moment që të pasojë ky operacion sonte… Mënyra si është vepruar me Dardanin, me sjellje arrogante, tregon se gjithçka ka qenë e orkestruar nga lart, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe besoj edhe nga kryeministri Albin Kurti…Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij”, ka thënë Kukaj.

Ndërsa Natyra Kuçi nga PSD-ja ka thënë se arrestimi i Molliqajt nuk do ta frikësojë këtë parti.

“Qëllimi i gjithë kësaj shfaqjeje është frikësimi i opozitës dhe oponentëve politikë, ne nga këtu themi se nuk do të frikësohemi, nuk do të zmbrapsemi, nuk do të harrojmë kauzën dhe gjithë rrethanat pse nisi kjo shfaqje, sepse mblodhëm tre mijë vetë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës, kjo sigurisht e tmerroi Albin Kurtin dhe pushtetin i cili ka nisur të kapë shtetin në duart e veta”, tha Kuçi./Telegrafi/

 

 

Next Post