Anëtari i kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Drin Kuka, i cili është edhe pjesë e ekipit mbrojtës të kryetarit të kësaj partie që u arrestua sonte, Dardan Molliqaj, ka thënë se në arrestimin e kreut të kësaj partie kanë marrë pjesë mbi 60 policë.
Kuka tha se në momentin kur Molliqaj është arrestuar, policia nuk kishte prezantuar as fletarres, e as në momentin kur ai është dërguar në stacionin policor.
“Ajo çfarë kemi kuptuar është se fletarresti është lëshuar pasi është realizuar aksioni policor, diku 15 minuta pasi që ka shkuar në stacion policor e më pas është lëshuar fletarresti.”
“Neve na është treguar vetëm një ‘screen-shot’ i tij, nuk e kemi parë të tërin dhe e kemi parë nga ora që është përpiluar pas arrestimit të tij”.
“Kemi të bëjmë me një aksion policor të realizuar me mbi 60 policë, me armë të gjata e që është realizuar brenda hapësirave të një televizioni ku ka qenë i ftuar të marr pjesë në një emision”, ka thënë Kuka në një konferencë për media të kësaj partie.
Më tej, Kuka ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se arrestimi i Dardan Molliqajt është i orkestruar nga ta, teksa shtoi se që prej momentit të siç e quajti ai, incident në protestën e 29 janarit, Vetëvendosja ka bërë fushatë linçuese kundër Molliqajt.
“Këtu kemi të bëjmë me një orvatje të shtetit të Kosovës, përkatësisht partisë në pushtet kundrejt Dardan Molliqajt për shkak të incidentit që ka ngjarë të shtunën dhe për shkak, konsiderojmë ne, fushatës linçuese që i është bërë prej atij incidenti e deri më tani Dardan Molliqajt, për ta krijuar një klimë në opinionin publik që të pasojë ky operacion sonte”, ka thënë Kuka.
Kuka, gjithashtu tha se shkresat që i janë dorëzuar Molliqajt për tu paraqitur në polici janë ligjërisht jo në rregull teksa kërkuan lirimin e tij dhe marrjen në përgjegjësi të të gjtihë zinxhirit komandues brenda sistemit të drejtësisë.
“Atij i është thënë që i janë dorëzuar ftesa për tu paraqitur në polici, por nga ajo cka ne kemi parë, ftesat nuk janë dërguar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Kërkon një mënyrë të caktuar se si shkresat i dorëzohen një pale të caktuar, dhe në rastin konkret, kushtet që duhet plotësuar sipas Kodit të Procedurës Penale, nuk janë plotësuar në raport me dërgimin e këtyre ftesave, pra ftesat s’janë dërguar ligjërisht”.
“Ne, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij, dhe paralajmërojmë marrjen në përgjegjësi të gjithë zinxhirit komandues brenda sistemit të drejtësisë”, ka thënë Kuka.
Kujtojmë se sonte, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, është arrestuar nga Policia e Kosovës përpara studiove të një televizioni në vend, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryere veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.