Trajtimi i qenve endacakë nuk po gjen zgjidhje tash e sa vite, edhe pse është kërkuar shumë për zgjidhjen e këtij problemi.
Qytetarët kërkojnë zgjidhje imediate pasi është shumë shqetësuese prania e qenve endacakë nëpër rrugët e Prishtinës.
Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se ky problem nuk mund të zgjidhet në mënyrë parciale, ndërsa Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë se vendosja e qenve nëpër strehimore nuk paraqet zgjidhje adekuate,
Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi thotë për KosovaPress se asociacioni që ai drejton vazhdimisht po injorohet nga Qeveria duke mos u ftuar nëpër takime lidhur me zgjidhjen e problemeve të ndryshme, përfshirë edhe atë të qenve endacakë.
“Ne kemi mbajtur takime të shumta me drejtorë komunalë të shërbimeve publike, me ish-kryetarë të komunave, ku është diskutuar problem me qentë endacakë. Konkludim i përbashkët i kryetarëve komunalë ka qenë që kjo problematikë nuk mund të zgjidhet në mënyrë parciale, por duhet të ketë trajtim të njëanshëm nga niveli qendror… Kryeministri Kurti para disa ditëve kishte mbajtur një takim me akterë të ndryshëm të cilët janë të involvuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, mirëpo Asociacioni i Komunave të Kosovës edhe këtë herë nuk ishte ftuar nga niveli qendror”, ka thënë ai.
Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thotë për KosovaPress se në takim me kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, kjo e fundit ka angazhuar grupin punues për hartimin dhe buxhetimin e strategjisë kombëtare, e cila pritet të përfundojë në qershor, ndërsa aprovimin e saj e presin vitin e ardhshëm.
“Ne si organizatë që sa vite jemi duke u propozuar institucioneve shtetërore dhe nivelit të kryeministrisë që të bëhet një strategji kombëtare për menaxhimin e qeneve me dhe pa pronarë. Qentë endacakë vijnë për shkak të qenve me pronarë. Nëse menaxhohet mirë popullsia e qenve me pronarë, atëherë do të ketë shumë më pak qen në rrugë dhe ndoshta edhe hiq brenda pesë vjetëve nëse zbatohen masat e qëndrueshme siç i kemi propozuar ne, kështu që ne atë strategji e kemi sjellë në tavolinë e kryeministrisë ku e ka organizuar një takim ku i ka ftuar të gjithë akterët relevantë në këtë aspekt që të zotohen secili organ shtetërorë për përgjegjësitë ligjore dhe të përmirësojë ligjet, udhëzimet administrative në mënyrë që këto masa të realizohen me kohë dhe mirë. Pas takimit me kryeministrin, ne kemi qenë të ftuar edhe prej Ministrisë së Pushtetit Lokal, e cila menjëherë është angazhuar të krijojë grupin punues për hartimin dhe buxhetimin e strategjisë kombëtare. Ne shpresojmë deri në qershor të këtij viti do të dorëzohet ajo strategji me buxhetim dhe që qeveria ta aprovojë në vitin 2023”, tha ajo.
Ramadani thotë se si organizatë janë duke i informuar njerëzit se vendosja e qenve nëpër strehimore nuk paraqet zgjidhje adekuate, pasi një gjë e tillë nuk do ta ndalojë shumimin e qenve.
“E kam thënë sa herë në media dhe në rrjete sociale se ne si organizatë vazhdimisht i informojmë qytetarët se strehimorja nuk do ta zgjidhë problemin aspak. Strehimoret edhe nëse krijohen në secilën komunë, nuk do ta ndalin shumimin e qeneve në rrugë, prapë do të kemi qen në rrugë, prapë do të kafshohen njerëzit, prapë do të sulmohen dhe traumatizohen qentë në rrugë, kështu që strehimoret janë vetëm një hallkë e rëndësishme që duhet të plotësohen, por jo për momentin nuk është zgjidhja e parë strehimorja sepse nuk do të ketë efekt. Kryetari i Prishtinës Rama e ka cekur këtë, por ka dashur të thotë qentë për trajtim të përkohshëm, Komuna e Prishtinës është duke iniciuar procedurën e tenderimit për një qendër për trajtim të përkohshëm siç parashihet në udhëzimet administrative dhe në legjislacionin në fuqi. Kjo qendër do të shërbejë si ambulatore, në të ardhmen mund të shërbejë edhe si strehimore, por njëherë për njëherë duhet të zvogëlohet dhe stabilizohet numri i qenve në rrugë”, tha ajo.
Qytetari Fehmi Kuleta shpreh shqetësim për fëmijët, madje ai tregon edhe për rastin ku qentë sulmojnë qytetarët. Ai ka edhe një thirrje për institucionet që të bëjnë zgjidhje.
“I drejtohemi institucioneve, komunës që të bëjnë një zgjidhje, pasi që më së shumti po rrezikohen fëmijët e vegjël. Kam qenë vetë prezent kur kanë vrapuar në drejtim të fëmijës, gati e kanë hëngër ose gruas shtatzëne, plakut, vetë kam vrapuar me një dru dhe i kam trembur. Po çuditem se si nuk po mendojnë për këtë rast institucionet tona, pse komuna nuk po bën zgjidhje? Por rrugët janë mbushur plot me qen endacakë, kjo rrezikon sidomos fëmijët e vegjël”, ka thënë ai.
Të njëjtën thirrje bënë edhe Leonora Zeqiri, e cila thotë se duhet të ketë një strehimore për trajtimin e këtyre qenve.
“Zgjidhja e problemit i takon komunës, si Prishtinës ashtu edhe komunave të tjera në Kosovë. Qentë endacak janë bërë shumë, por nuk kanë faj, ne duhet të përkushtohemi dhe të merremi me ta. (Qentë) janë edhe nuk janë të rrezikshëm, ka kur janë uritur, kanë sulmuar fëmijët. Zgjidhja e problemit është të ne e jo të qentë. Këta nuk kanë faj, duhet ne të përkushtohemi më shumë që të ketë strehimore dhe qentë të mos qëndrojnë tërë kohën në rrugë”, u shpreh ajo.
Ndryshe, miliona euro janë shpenzuar deri më tash nga qeveria dhe komunat e Kosovës për trajtimin e qenve endacakë, por pa ndonjë sukses.
Nga viti 2017, trajtimin e qenve e ka bërë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që kishte marrë 1.3 milion euro nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. AUV kishte vaksinuar dhe kastruar mijëra qenë endacakë në të gjithë territorin e Kosovës. Rezultati ishte jo i kënaqshëm. Në fund, po thuajse gjithë fondi i ndarë ishte shpenzuar dhe rreth gjysma e qenve endacakë kishin mbetur pa u trajtuar.
Ligji për veterinarinë parasheh që komunat në pajtim me procedurat e vendosura nga Ministria e Bujqësisë, duhet të regjistrojnë qentë, të bëjnë vaksinimin vjetor kundër tërbimit, të kapin qentë dhe macet e rrugës nëse është e nevojshme, si dhe të themelojnë vende për përkujdesje për qentë dhe macet, sipas nevojës.
Në takimin e fundit të kryetarit të Prishtinës Përparim Rama me përfaqësues të BE-së dhe organizata joqeveritare është themeluar një grup punues për hartimin e planit të veprimit dhe të strategjisë kombëtare për trajtimin human të qenve, e cila përmban dhjetë pika: identifikimi dhe regjistrimi i qenve me vath e mikroçip, subvencionimi i vazhdueshëm për kastrimin, sterilizimin e vaksinimin e qenve me pronarë, kontrolli i rreptë i mbarështimit dhe i shitjes së qenve, kontrolli i vazhdueshëm i riprodhimit të qenve endacakë përmes metodës KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho), qendrat për Trajtimin e Përkohshëm (QTP) dhe Qendrat e Shpëtimit, prezantimi i ‘kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake’, kontrolli i qasjes në resurse – ushqimi i qenve, fushatë për vetëdijesimin e shoqërisë, parku i qenve me pronarë (për socializim dhe rekreacion), inspektorët komunalë për veterinari.
Strehimorja për trajtimin e qenve endacakë pritet të krijohet në përputhje me planin fillestar të komunës, pasi aktualisht ka vetëm qendra për trajtimin e përkohshëm të kafshëve, që pastaj lirohen prapë.
Sipas të dhënave të Policisë, gjatë vitit 2020 kanë ndodhur rreth 28 sulme nga qentë endacakë e 8 nga qentë me pronarë.