Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se çështja e adresimit të dhunës në familjes, dhunës në baza gjinore dhe ndaj grave, është prioritet i Qeverisë dhe ministrisë të cilën e drejton. transmeton Klankosova.tv.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ajo tha se që nga momenti i marrjes së detyrës, është punuar në këtë drejtim.
“Në përputhje me zotime tona por edhe me programin qeverisës, çështjen e adresimit t e dhunës në familje, dhunës në baza gjinore dhe dhunës ndaj grave e kemi bërë prioritet dhe përgjatë gjithë kësaj kohe, prej momentit që kemi marrë detyrën si Qeveri dhe si Ministri e Drejtësisë, kemi punuar në këtë drejtim”.
“Përveç caktimit të koordinatorit nacional kundër dhunës në familje e që njëherësh është zëvendësministrja Nita Shala, është funksionalizuar për herë të parë grupi ndërministror ku janë përfaqësues të të gjitha Institucioneve që merren me adresimin e dhunës në familje, dhe takimet e këtij grupi mbahen të rregullta ku merren përgjegjësi dhe jepen llogaridhënie në raport me përgjegjësit që merren në këtë grup ndërministror. Tash së fundmi Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë ligjin për ndihmë juridike falas, ku viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të kategorive të tjera i jepet ndihmë nga shteti në çështje civile dhe penale, pavarësisht gjendjen socioekonomike të tyre”.
Haxhiu tutje tha se Qeveria sot miratoi një dokument shumë të rëndësishëm i cili është strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe mbrojtjen ndaj grave për periudhën 2022-2026, dhe poashtu planin e saj të veprimit. Ajo falënderoi anëtarët e grupit punues që punuan në këtë dokument.
“Kjo strategji adreson parandalimin dhe identifikimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Avancimin dhe harmonizimin me standarde ndërkombëtare, fuqizimin institucional dhe poashtu sigurimin e shërbimeve të përgjithshme dhe shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat”.
“Puna më e madhe pritet të bëhet pas miratimit sepse strategjia që sot miratuam nuk duhet ta ketë fatin e të strategjive të tjera që kanë mbetur në sirtarët e Institucioneve të Kosovës. Situata do të ndryshojë për së mbari pas miratimit të kësaj strategjie në raport me rastet e dhunës në familje. Jeta e grave dhe vajzave në Kosovë, fëmijëve dhe qytetarëve është shumë e rëndësishme për ne. Dhuna në familje s’është çështje private, duhet të adresohet, duhet të raportohet në Institucione”.