Komuna e Rahovecit – Nga shkrumbi e hiri i vitit 1999 në normalitet pothuaj evropian në 2021
Duke qenë hambari i Kosovës në të gjitha luftërat që prej Luftës së Parë Botërore e deri në Luftën e fundit kundër Serbisë më 1990 familja ndihmon familjen 1998- 1999, Komuna e Rahovecit ka qenë ndër furnizueset kryesore me ushqime të lëvizjeve guerile kombëtare. Gjyshi im i lindur në vitin 1908 rrëfente për furnizimet që u kishin bërë lëvizjeve të ndryshme guerile në Drenicë kundër pushtuesve. Kam qenë dëshmitar kur në vitin 1998 niseshin furnizimet me ushqime nga Ratkoci e fshatrat tjera të Rahovecit drejt Drenicës dhe zonave përreth, të prekura nga lufta. Pasja e tokës së plleshme të shtrirë buzë Drinit të Bardhë ka bërë që bujqësia të ishte ndër veprimtaritë kryesore në Komunën e Rahovecit. Gjithsesi, krahas ndihmave e furnizimeve Komuna e Rahovecit vazhdimisht ka dhënë heronj e heronj për çlirimin e trojeve shqiptare.
Duke ndjekur strategjinë e tokës së djegur, Serbia numrin më të madh të vrasjeve dhe dëmet më të mëdha ekonomike në Kosovë i kishte bërë në Komunën e Rahovecit. Dhe këtë nuk e bënte pa shkas. Vetë fakti që ishim hambari i Kosovës me pemë e perime, Serbia synonte djegien dhe shkatërrimin total të kësaj komune me qëllim që në Kosovë të mos kishte asnjë mundësi ringjalljeje bujqësie dhe ekonomie. Përmes kësaj strategjie synohej që njerëzit të iknin dhe të mos kishin ku të ktheheshin më. Djegien dhe shkatërrimin total të Komunës së Rahovecit e donte Serbia edhe për faktin se Komuna e Rahovecit ishte nyja dhe ura kryesore mes Shqipërisë, Hasit të të dyja anëve të kufirit dhe Drenicës. Dhe duke e pasur një Komunë të Rahovecit të djegur, të shkatërruar dhe pa njerëz, Serbia synonte të shkëpuste çdo lidhje të mundshme të qendrës së Kosovës me Shqipërinë.
Aq shumë ishte e djegur dhe shkatërruar Komuna e Rahovecit, sidomos fshatrat (gjysma sosh qenë djegur në shtator 1998 dhe gjysma tjetër gjatë bombardimeve të NATO-s në 1999) sa në situata tjera, pra pa ndihmën e NATO-s, nuk do të ishte i mundshëm kthimi në Kosovë.
Dhe kur e krahasojmë këtë Komunë sot me shkrumbin e hirin e vitit 1999 dallimet janë kolosale. Në një martesë të një të afërmi familjar patën ardhur në vitin 2018 disa gjermanë dhe patën shëtitur nëpër pothuaj tërë Komunën e Rahovecit dhe shumë vende tjera në Kosovë. Këta gjermanë pyesnin vetëm një gjë: a ka pasur vallë në këtë vend luftë apo jo?! Sepse sipas tyre, pamjet e fshatrave në vitin 2018 fare s’flisnin për luftë. Zhvillimi i paparë i fshatrave, shtëpitë moderne, numri i madh i veturave dhe infrastruktura ishin ato që u binin më së shumti në sy. Përfundimi për këta gjermanë ishte se këtu në këtë Komunë (të Rahovecit) veç për varfëri s’kishe ç’të thoshje, sepse s’kishte një të tillë.
Sigurisht që plagët e luftës së vitit 1998-1999 nuk janë harruar e as që do të harrohen për brezin që përjetoi tmerrin e planeve shfarosëse serbe, por sot të shkosh në fshatra të Komunës së Rahovecit ku u krye gjenocid si Krushe e Madhe, Celinë, Hoqë e Vogël, Brestovc, Fortesë, Pastasel dhe në vetë Qytetin e Rahovecit, të kënaqet zemra kur sheh transformimin e madh dhe të paparë që ka ndodhur që nga viti 1999. Përderisa Evropa pas Luftës së Dytë Botërore, pra nga 1945-1955, po përballej me varfëri e uri të paparë në shumë pjesë të saj, Komuna e Rahovecit, e mbështetur fuqishëm nga mërgata jonë, ndihmat humanitare dhe vyeshmëria e banorëve të këtyre trevave veç për varfëri e uri s’ia dinin dhe as që ia dinë.
Jo rastësisht, Komuna e Rahovecit sot përbën Komunën me më së paku lypës ose fare krahasuar me pjesë tjera në Kosovë. Krahas zhvillimit të Qytetit, Komuna e Rahovecit, për dallim prej të gjitha komunave në Kosovë, ka tri fshatra të mëdha (Krushen e Madhe, Xërxen dhe Ratkocin) që aq shumë janë zhvilluar që nga 1999 sa sot në këto tri fshatra frymon jetë gati qyteti ku ka ndoshta mbi 3 mijë të punësuar në ndërtimtari, gastronomi, prodhim, etj, diçka që mungonte tërësisht para lufte. Pa llogaritur këtu bujqësinë si sektor që mban gjallë shumë familje.
Sot, Komuna e Rahovecit ka kompletuar pothuaj infrastrukturën bazike. Sigurisht që duhet punuar ende, tashmë më shumë në cilësi se sasi. Dallimi i standardit jetësor i fshatrave me Qytetin e Rahovecit është tashmë inekzistent, ashtu siç është inekzistent edhe mes fshtrave të kësaj Komune me çdo qytet të madh në Kosovë. Dhe natyrisht dallimin e madh të standardit jetësor të para luftës me pasluftën mes fshatrave dhe qyteteve e ka ngushtuar mërgata jonë dhe e kanë zhdukur buxhetet komunale duke investuar në infrastrukturë. Pra, kombinim perfekt: komuna rregullonte infrastrukturën, kurse mërgata shtëpitë.
E kjo zhdukje dallimi mes standardit të jetës në fshat dhe qytet është megazhvillimi që i ka ndodhur Kosovës. Është diçka e jashtëzakonshme, të cilën dikush e hesht vetëm e vetëm për të arsyetuar ardhjen në pushtet. Këtë dallim mes jetës fshat qytet nuk ka mundur ta zhdukte as Kina, as Brazili, as Rusia, Indonezia e India, pra megashtete këto që synojnë majat e ekonomisë globale. Dallimin e standardit jetësor mes fshatit dhe qytetit as për së afërmi s’kanë arritur ta reduktojnë vendet e rajonit. Ndërkohë, Kosova e ka mbyllur këtë hendek për 22 vite çlirim dhe vetëm 13 vite shtet.
Prandaj, kush mendon që Kosova nga viti 1999 kur mblidhnim kufomat në shkrumb e hi deri në vitin 2021 ka degraduar, atëherë le të sheh inçizimet si ishte Komuna e Rahovecit në 1999 dhe si është sot.
Respekt!
Autori i shkrimit : Agron Hoti ,është duke doktorrue në Universitetin e Lubjanës,në Fakultetin e Shkencave Sociale, Studime Evropiane