Aktakuza e çuditshme e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, ka bërë që të ngjallë reagime të mëdha në Kosovë dhe jashtë saj, reagim i tillë sot ka ardhur edhe nga familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, shkruan Gazeta Metro.
Familja Rugova ka thënë se historinë e lavdishme të Kosovës nuk mund ta ndryshon askush, në letër thuhet se janë të bindur që historia dhe vlerat e larta të popullit të Kosovës nuk do të ndryshohen kurrë.
Në letër thuhet se familja Rugova beson në pafajësinë e Presidentit Thaçi dhe ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.
Nga kjo familje kanë kujtuar disa fjalë të rëndësishme të Rugovës lidhur me krimet e luftës në Kosovë.
Deklarata e plotë e familjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova:
Si familje e Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, me shqetësim të madh po i përcjellim zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat lidhen me pretendimet për Aktakuzë të mundshme, të Prokurorisë së Specializuar, ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.
Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit, liderit të Serbisë dhe arkitektit të gjitha krimeve dhe të tragjedive në Kosovë, në Tribunalin e Hagës për krime të luftës, Presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, në cilësinë e dëshmitarit, midis tjerash pati deklaruar:
‘Kam punuar dhe kam besuar për zgjidhje paqësore (të çështjes së Kosovës) për më shumë se dhjetë vjet, por pastaj është shfaqur opsioni tjetër, në mungesë të rezultateve. UÇK, siç kam theksuar, erdhi në shprehje si përgjigje ndaj dhunës së ushtruar në Kosovë për një periudhë të gjatë. Kjo ka qenë një organizatë e përbërë nga qytetarët që iu përgjigjën ndaj dhunës, me qëllimin e fitimit të lirisë së popullit. Ky ishte synimi i tyre.’.
Presidenti Rugova në dëshminë e tij në Tribunalin e Hagës, ka dhënë shpjegimin e tij të jashtëzakonshëm politik të rrjedhës historike në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta, duke zbardhur në mënyrën më të qartë të mundshme kush ka qenë agresor dhe okupator, dhe kush ka qenë viktimë në Kosovë.
Këto rrjedha historike kulminuan në vitet 1998, 1999, me luftën e UÇK-së, të popullit të Kosovës dhe të miqve tanë të mëdhenj, SHBA-së dhe shteteve të Aleancës Veri-Atlantike, për çlirimin e Kosovës.
Për fat të keq, njëzet e më shumë vjet pas përfundimit të luftës, pushteti në Serbi nuk e ka pranuar këtë histori tragjike të Kosovës të shkaktuar prej tij.
Presidenti Rugova ka pasur një bashkëpunim shumë të veçantë me Hashim Thaçin, në kuadër të Delegacionit të Kosovës në Konferencën Paqësore të Rambouilletit.
Vetëm një unitet i këtillë politik në kuadër të Lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, ka mundur të sjell Marrëveshjen e Rambouilletit, pa të cilën Kosova nuk do të çlirohej kurrë.
Presidenti Rugova edhe pas luftës, në kuadër të ndërtimit të institucioneve demokratike të Kosovës, ka insistuar në kultivimin e bashkëpunimit politik, veçmas kur bëhej fjalë për temat për interes madhor të vendit, siç ishte edhe Procesi i Vjenës për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Edhe këtu Presidenti Rugova dhe Hashim Thaçi, atëherë si Kryetar i PDK-së, kanë qenë së bashku, në kuadër të Ekipit të Unitetit, me synim të arritjes së pavarësisë së Kosovës.
Si familje e Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, jemi të bindur që historia e lavdishme e Kosovës e viteve të nëntëdhjeta, e cila solli çlirimin e Kosovës, dhe më pas, edhe pavarësinë e saj, ka shfaqur vlerat më të larta të popullit të Kosovës, dhe ka bërë bashkë Kosovën me SHBA-në dhe me Evropën.
Këtë histori askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë.
Në këtë kontekst, ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi dhe ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.
Zoti e bekoftë shtetin e Kosovës!
Zoti e bekoftë miqësinë e përjetshme të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!//gazetametro.net