Prof.dr Sabahajdin Cena
FLAKA E JANARIT” DHE KRISMAT
NË BRESTOSIN E ANADRINIT
Lapidari në “Lakun e Dëshmorëve” “Laku i Dëshmorëve” hyri në legjenda e u këndua në këngë e në rapsodi dhe sot jetojnë gojëdhënat toponimike dhe rrëfimet e ndryshme e që të gjitha lidhen me hapat e parë të organizimit
të rezistencës së armatosur nëpër fshatrat e Anadrinit. Ky lak e kthesë shtrihet jo larg qendrës, pra Urës së Brestosit të Anadrinit, e as larg Rrihjeve të Rahovecit (Varrezave) të qytetit. Laku zuri vend në një kthesë
buzë shiritit të asfaltuar që përherë e lidhte Rahovecin me Krushën e Madhe.
Këtu pra shtrihet ky lak e kjo kthesë historike pikërisht në Grykën e Brestosit, jo larg Hoçës së Madhe, shtrihet në vendin ku ra Nesimiu, ku ra Agroni, ku ra Halimi, e ku ra Hilmiu, madje pranë këmbëve të profesor Ukshin Hotit, i cili me tërë madhë shtinë e forcës prej Titani, e me atë zërin prej Tirteu, edhe atë janar marshoi në krye të kolonës e cila atëherë qe përgjakur për t’u shënuar ai Janar i Skënderbeut, ai Janar i Jusuf Gërvallës, ai Janar i Kadri Zekës, ai Janar i Bardhosh Gërvallës.
Kështu do t’u rrëfehet nipërve e mbesave, kështu do t’u thonë gjyshet vogëlushëve e vogëlusheve kur do t’u bjerë që të kalojnë bri vendit që tash e tridhjetedy vjet mbledh rrëfime e kujtime për heroizmin e Nesimi Elshanit prej Nagaci, për burrërinë e Agron Fetahut prej Celine, për vendosmërinë e Hilmi
Krasniqit të Hoçës së Vogël e për trimërinë e Halim Hotit të cilin as plumbat policorë nuk e ndanë prej profesorit
Ukshin Hoti, prej Krushës së Madhe, e prej anadrinasve të vendosur për ta bërë ose për të rënë në altarin e lirisë. Dhe ranë, por u mbeti legjenda për “Lakun e Dëshmorëve” u mbeti rapsodia të cilën nuk e mbaroi as rapsodi Met Malësori i Krushës së Madhe, as Mujë Krasniqi i Qabiqit e as Beqir Gashi i Sefë Mleçanit.
Me të vërtetë, kështu lindën legjendat e mbirëa në këto troje. Këto mbinë dhe u ujitën me gjakun e derdhur në këto vende trimash që ishin nisur prej fshatrave të Anadrnit të derdhur në Krushën e promëthenjve që ranë për të bërë kthesa historike në këto troje. Në “Lakun e Dëshmorëve” është vendi ku më 27 janar të vitit 1990 ranë heroikisht ata që sot jetojnë në legjendën për Janarin, për Brestosin dhe për “Lakun e Dëshmorëve” të parë të Anadrinit. Të gjithë, të prirë nga profesor Ukshin Hoti, ishin nisur për ta ndezur “Flakën e Janarit” në Rahovec dhe ranë për të mos u harruar: Nesimi ELshani, Agron Fetahu, Hilmi Krasniqi dhe Halim Hoti.
Ranë se e deshën Kosovën e lirë, ranë se e deshën Shqiptarinë, ranë se kishin jetuar në frymën e me frymën e një ideali të lartë që i shenjtëroi, i bëri të madhërishëm dhe mbaruan ashtu si e kërkonte liria e shtrenjtë e kësaj toke. Kështu do të shënojnë nëpër hartime shkollore e nëpër shtylla ditarësh edhe vogëlueshët e vogëlushet e mbetura bonjake, por kështu do të shënojnë edhe legjendografët e legjendologët e ardhshëm e kështu do t’i këndojnë rapsodët “Lakut të Dëshmorëve” sepse në krye të atyre që deshën lirinë më shumë se jetën, ishte prof. Ukshin Hoti. Prej “Lakut të Dëshmorëve” do të nisen edhe historianët e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtri kjo të cilën e pati kërkuar profesor Ukshin Hoti në ceremonialin e varrimit të Elmi Popajt, ushtar i vrarë në kazermat serboçetnike e të përcjellë n amshium në ditët e ngrohta të qershorit në Fortesë të Anadrinit, ushtri të cilën e sendërtoi Adem Jashari me Zahir Pajazitin në Prekaz, në Pestovë e në Glloxhanin e Luanit prej nga edhe çelën sythat e Lirisë së Kosovës.
v a z h d o n
LAVDI DËSHMORËVE TË BRESTOSIT:
NESIMI ELSHANIT,
AGRON FETAHUT,
HILMI KRFASNIQIT DHE
HALIM HOTIT !
LAVDI TË GJITHË DËSHMORËVE!