“Na ishte njëherë”, një platformë që sjellë në kujtim rrëfime, pamje, karikatura nga e kaluara në Kosovë, ka sjellë rrëfimet e prishtinasve se si ngroheshin në vitin 1983.
Disa kishin thënë se ngroheshin me dru, e disa me rrymë.
“Kryesisht po nxehemi me rrymë. Kur nuk po ka shkyçje të rrymës elektrike, nuk po është keq, mirëpo kur ndalet rryma, e kemi vërtet ftohët. Po të mos kishim fëmijë të vegjël, disi t’ia bënin…”, kishte thënë Letafete Dibra, amvise.
Pensionisti Menduh Zehiri kishte treguar se e ngrohin shtëpinë edhe me rrymë edhe me dru.
“Sivjet, të shtyrë nga prognozat se nuk do të ketë rrymë, kemi kaluar në nxehjen e kombinuar: një pjesë të shtëpisë e nxejmë me dru e pjesën tjetër me rrymë. Besoj që sasia e druve që kemi siguruar do të mjaftojë gjer në fund të dimrit”, kishte thënë Zehiri.
Eshref Hajdini, i cili ishte me profesion përkthyer, kishte treguar se pas plot 12 vjetëve i është kthyer ngrohjes me dru.
“Pas plot 12 vjetëve, sërish kalova në nxehjen me dru, meqë e pashë se sivjet nga nafta dhe rryma nuk do të ketë asgjë. Meqë kam siguruar sasi të mjaftueshme të druve, shpresoj se edhe nxehja do të jetë e mirë”, kishte qenë përgjigja e Hajdinit.
E portieri Shemsi Dabinovci kishte treguar se planifikohet të nxehet edhe me dru edhe me rrymë, meqë drutë që kishte s’do i mjaftonin për gjithë dimrin.
“Besa dimri na gjeti edhe jo aq të përgatitur, meqë me sasinë e druve që kam siguruar për këtë dimër, kështu siç ia ka nisur, nuk besoj se do ta kaloj dimrin. Prandaj, po nxehem edhe me rrymë. Po ju tregoj se çka më tha një stërshitës i druve për një metër dru më kërkoi hiç më pak se 8500 dinarë”, kishte treguar Dabinovci.