Pronari i shkollës private ‘Wilson ’, Lulzim Masha i shpëtoi një atentati paraditen e kësaj të marte.
Në drejtim të automjetit të tij u qëllua 3 herë me pistoletë, por 63-vjeçari nuk mori lëndime.
Gjatë deklarimit para policisë, ai ka mohuar të ketë qenë shënjestër e sulmit me armë, ndërsa policia po heton disa pista.
Automjeti “Mercedes Benz” i pronarit të shkollës private ‘Wilson’ u qëllua në lëvizje, në një rrugicë buzë Liqenit Artificial.
Autori që qëndronte në trotuar, shkrepi 3 herë pistoletën por Lulzim Masha nuk u prek nga asnjë plumb.
63-vjeçari administrator dhe pronar i shkollës private ‘Wilson’ udhëtonte i vetëm.
Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, roje të lokaleve aty pranë dhe shitës ambulantë nuk janë dëgjuar zhurma çka ka shtyrë hetuesit të dyshojnë se mund të jetë përdorur një pistoletë me silenciator, Euronews Albania .
Burime nga policia bëjnë me dije se Masha nuk njihet si person problematik apo i skeduar, ndërsa një nga pistat që po hetohet është për konflikte tokash.
Gjatë marrjes në pyetje, vetë biznesmeni ka mohuar të ketë qenë shënjestër e sulmit madje sipas tij plumbat në makinë kanë qenë aksidentale pasi kishte vënë re se në trotuar po konfliktoheshin disa të rinj./Euronews Albania